Futboll

Ernest Gjoka: “Na mungon qetësia dhe gabojmë”

Pas dy fitoreve të njëpasnjëshme, skuadra e Vllaznisë është rikthyer sot te humbja, pasi u mund në shtëpi nga Laçi, që përmbysi avantazhin fillestar të shkodranëve. Një disfatë që mban kuqeblutë në limitet e zonës së shpëtimit, me vetëm tre pikë më shumë se Luftëtari i vendit të parafundit në klasifikimin e përgjithshëm. Shumë arsye këto që të ngjallin keqardhjen e trajnerit të shkodranëve, Ernest Gjoka, i shqetësuar për gabimet e shumta të skuadrës së tij, ndonëse nuk mohon kualitetin brenda kontigjentit.

“Sigurisht që jam i keqardhur, pasi bëmë gabime të cilat na ndëshkuan. Mendoj se është herët të mendojmë për ndërhyrjet në merkaton e janarit. Fillimisht duhet të marrim maksimumin nga ndeshjet e mbetura, të korrigjojmë gabimet tona, më vonë të mendojmë për përforcimet. Po na mungon qetësia për t’i bërë gjërat më mirë, pasi mendoj se cilësinë e kemi. Bëmë gabimet tona dhe vazhdojmë të bëjmë gabime. Kjo është diferenca, nuk duhet të bëjmë gabime në momente të vështira. Kam pretendimet e mia për një penallti të mohuar, por ashtu e gjykoi arbitri. Të njëjtën situatë, ne kemi marrë penallti ndaj Sherif”, u shpreh ndër të tjera trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka.

Më shumë nga Futboll