Kampionati Shqiptar

Ervis Kraja nis punën me Vllazninë, prezantohet edhe stafi i tij

Ernest Gjoka e braktisi anijen i pari, kur e pa se ajo po mbytej. Bashkë me stafin e tij, të cilin e solli në Shkodër nga kryeqyteti, për ta shpëtuar Vllazninë në Superiore, ai u dorëhoq pas humbjes së fundit ndaj Partizanit. Një dështim profesional për këtë trajner, që brenda një viti e pa veten nga “parajsa”, si kampion me Kukësin, në “ferr”, si njeriu që i priu Vllaznisë drejt katastrofës.

Në fakt, rënia në Kategorinë e Parë e kuqebluve të Shkodrës nuk është bërë fakt i kryer matematikisht, edhe pse që të ndodhë ndryshe duhet një mrekulli. Kjo e fundit nuk është më në duart e 9 herë kampionëve të Shqipërisë, por e të tjerëve. Sa dhe si po lëvizin gjërat “nën rrogoz”, kjo mbetet të shihet, edhe pse fjalë ka shumë, po lëvizin deri edhe “peshat e rënda” të politikës.

Nuk mund të fshihet: Përmes ngjyrave kuqeblu po projektohet beteja e ardhshme elektorale për pushtetin vendor të kryeqendrës së veriut. Ervis Kraja, që është caktuar si trajner i Vllaznisë në dy javët e mbetura të kampionatit, ka filluar sot stërvitjen në fushën sportive të Golemit.

Ai nuk ka qenë vetëm, por me stafin që ka zgjedhur për këtë mision të pamundur, që është prezantuar nga administratori Gjyrezi. Për ta shpëtuar anijen, që mbyti Ernest Gjoka, Kraja do të ketë në mbështetje një grup trajnerësh të akademisë: Altin Xhahysën, Altin Kaçin, Ideal Lekiqin dhe Admir Mehjen.

Kraja ka folur edhe për mediat: “Natyrisht që është një detyrë e vështirë. Por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën për këto dy ndeshje të mbetura. Është një moment i vështirë, por përderisa na lejon matematika, do të shpresojmë duke bërë punën tonë. T’i shfrytëzojmë mundësitë tona, duke shpresuar që t’ia dalim me sukses.

Unë jam pjesë e strukturës së Vllaznisë dhe të gjithë lojtarët këtu i njoh. Tashmë nuk do të ketë më Vllaznia A dhe B. Prandaj, ua kam komunikuar edhe çunave se të gjithë janë njësoj. Në formacionin e Vllaznisë do të jetë kush ta meritojë. Besimi është i madh për faktin se kemi ndeshje me Kukësin në Shkodër, që nuk e ka motivimin 100% dhe jemi me mendje te ndeshja e Laçit me Kamzën. Kam besim se Laçi do t’ia dalë.”


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar