Volejboll

Erzeni mposht 3-2 Partizanin në finalen e parë pas një ndeshje maratonë

Erzeni fitoi finalen e parë të play off-it në volejboll për meshkuj, duke mundur 3-2 Partizanin, ndeshje e luajtur në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet. Sukses që i jep avantazhin 1-0 me ndeshje ekipit shijakas, pas një maratone që zgjati 2 orë e 24 minuta, ku të dyja ekipet dueluan fort për fitoren. Në fund triumfoi ekipi i Erzenit, që arriti dy herë të përmbysë avantazhin me sete të Partizanit dhe i mbështetur nga fansat e shumtë që kishin ardhur nga Shijaku, në fund festoi këtë triumf.

Një ndeshje me rivalitet dhe emocione, ku tifozët e shumtë u argëtuan nga situatat e krijuara në fushë, me përmbysje të herë pas hershme të rezultatit. Loja ishte me luhatje, ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra, por në fund triumfoi Erzeni i drejtuar nga trajneri Arben Sako, që hedh një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion (titullin e merr skuadra që fiton 3 nga 5 ndeshjet finale).

Ndeshja nis mirë për skuadrën e Partizani, që dominon në fushë në setin e parë, duke u shkëputur gradualisht dhe fiton 25-19, set ku shijakasit nuk arrijnë të dalin në lojën e tyre. Por loja ndryshon kah në setin e dytë, pasi Erzeni është më i kujdesshëm dhe i saktë në mbrojtje, duke komanduar në fushë. Shijakasit fitojnë 25-22 e barazojnë 1-1 shifrat. Por loja pëson sërish luhatje dhe këtë herë është Partizani ai që ka komandën e lojës në setin e tretë, e dominon gjatë gjithë kohës ndeshjen dhe fiton 25-17.

Por luhatjet në lojën e skuadrave vijojnë edhe në setin e katërt, që është vazhdimisht nën komandën e Erzenit, që shkëputet që në pikët e para dhe nuk e lëshon kryesimin, duke fituar 25-18. Barazim 2-2 me sete, një tifozeri që argëtohet pa masë me emocionet që dhuron kjo sfidë dhe gjithçka vendoset në setin final.

Ndryshe nga 4 setet e mëparshme, finali është më emocionuese, luhet pikë më pikë dhe loja dhuron spektakël e emocione. Në pikët shtesë, pas një blloku efikas, skuadra e Erzenit fitoi 17-15 dhe krejt ndeshjen 3-2, duke nisur një festë me fansat e shumtë. Ditën e enjte luhet finalja e dytë, në fushën e Erzenit.

Volejboll – Play off, Finalet e meshkujve

16 prill, Partizani – Erzeni, 2-3 (25-19, 22-25, 25-17, 18-25, 15-17)

19 prill, Erzeni – Partizani, ora 19:00 (Akademia “Dhimitraq Goga”)

22 prill, Partizani – Erzeni, ora 19:00 (Feti Borova)

Më shumë nga Volejboll