Volejboll

Erzeni ruan kreun, Partizani, Tirana e Elbasani fitore me përmbysje

Erzeni ruan kreun e renditjes në Kampionatin Kombëtar të Volejbollit për meshkuj, duke e nisur me fitore fazën e dytë. Skuadra shijakase mundi 3-0 në kryeqytet Studentin, takim i vlefshëm për javën e 10-të dhe luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Skuadra e trajnerit Sako e komandoi gjatë gjithë kohës ndeshjen, ishte superior në parket dhe e meritoi fitoren. Studenti luajti me hope dhe rivalizoi disi në setin e dytë, por nuk kishte forcën për të fituar, duke pësuar humbjen e dytë sezonale. Për Erzenin, fitorja e sotme ishte një hakmarrje për humbjen e pësuar në javën e parë të kampionatit.

Nga ndeshja Partizani-Vllaznia, 3-1

Partizani ruan hapin e Erzeni, me të kuqtë që sot mundën me vështirësi 3-1 Vllazninë në “Asllan Rusi”. Madje ishin miqtë ata që fituan setin e parë, duke e nisur mirë ndeshjen dhe rivalizuar në të katërta setet, duke tentuar surprizën. Trajneri Ylli Tomorri aktivizoi në këtë ndeshje edhe lojtarët e huaj, që ndikuan tek ky sukses. Po 3-1 fitoi edhe Tirana, që mundi me përmbysje Farka Volley në takimin e luajtur në “Fahrie Hoti”. Farka fitoi setin e parë, por shpejt e humbi ritmin, duke mos përballuar dot nivelin e diktuar nga bardheblutë, më superior në parket në tri setet e tjera, duke e merituar fitoren.

Nga ndeshja Tirana – Farka Volej, 3-1

Po 3-1 fiton edhe Elbasani, që mundi Teutën në ndeshjen e luajtur në Durrës. Skuadra e Teutës e nisi mirë takimin, duke fituar setin e parë, jo vetëm të këtij takimi por edhe të parin absolut në këtë sezon. Por vetëm kaq, pasi më tej erdhi përmbysja e Elbasanit, që fitoi tri setet e tjera dhe krejt ndeshjen 3-1, dukle korrur suksesin e dytë në kampionat, të dyja ndaj bregdetarëve.

Volejboll – Meshkuj, java e 10-të (3 shkurt)

Partizani – Vllaznia,                                  3-1 (14-25, 25-18, 26-24, 25-21)

Teuta – Elbasani,                                       1-3 (25-20, 28-30, 15-25, 20-25)

Tirana – Farka Volej,                                3-1 (16-25, 25-21, 25-22, 25-16)

Studenti – Erzeni,                                      0-3 (19-25, 22-25, 18-25)

Skënderbeu (pushim)

Renditja: Erzeni 25 pikë (8/1), Partizani 24 pikë (8/1), Studenti 19 pikë (7/2), Tirana 17 pikë (6/3), Vllaznia 13 pikë (4/5), Skënderbeu 9 pikë (3/5), Farka Volley 7 pikë (2/7), Elbasani 6 pikë (2/7),  Teuta 0 pikë (0/8).


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Volejboll