Futboll

Es una locura! Përgatituni, në Argjentinë luhet për nderin!

Es una locura! E vërtetë, një çmenduri ta mendosh, e jo më ta përjetosh. Mes 20 gjërave që duhen bërë një herë në jetë është edhe ajo, prania në “La Bombonera” ose në “El Monumental”.

Në ato anë, përtej Oqeanit, e dinë mjaft mirë se çfarë do të thotë Superclasico, teksa Europa, shkak diferenca e orëve, është “në gjumë”. Jo këtë herë, jo në finalen e finaleve. Boca Juniors-River Plate, kseneises përballë mijonarios. Urrejtja, rivaliteti, dëshira për të komanduar…

Dy lagje të ndara mes tyre, por sa shumë pranë në mentalitet. Klubi i popullit kundër borgjezisë. Ata që jetojnë me ritmet e këngëve, përballë atyre që jetojnë mes luksit.

Dhe nëse një farë Putin do të anulojë takimet diplomatike për t’u ulur në tribunën e Bomboneras, atëherë mos pyesni shumë për rëndësinë e kësaj sfide.

Copa Libertadores, eventi më i madh pas Champions, në nivel klubesh, do të ndahet mes tyre. E kanë ndjekur, dëshiruar dhe ëndërruar. Dita ka ardhur, fusha do të flasë, por pasi tribunat të këndojnë. “Viedado para los hinchas del Riber, siç i thërrasin në Argjentinë.

Praktikisht, tifozët miq nuk do të lejohen, si në njërën, ashtu edhe në tjetrën ndeshje. Siguria në plan të parë, forcat e policisë gjithashtu. Kaosi në në një përballje të tillë është i garantuar, ndaj sy dhe veshë pranë Bombonerës dhe Monumental.

Etapa e parë, të shtunën, ora 21:00 në Europë. Atëherë kur asnjë gjumë në botë nuk do të mund t’iu largojë nga tv. Argjentina mban frymën, kurse Europa sytë hapur… Luhet Superclasico, es una locura!

Më shumë nga Futboll