Connect with us

Futboll

Është “Armiku publik nr.2” në Kroaci, Modric rrezikon 5 vite burg

Avokati i Shtetit të Kroacisë ka zbuluar se ylli i Real Madrid, Luka Modric është nën hetim për dëshmi të rreme pasi dha fakte në procesin gjyqësor të çelur ndaj Zdravko Mamic. Sipas sistemit penal kroat, Modric rrezikon një dënim që varion nga 6 muaj deri në 5 vite, nëse shpallet fajtor për dëshmi të rreme. Ish-futbollisti i Tottenham është njëri prej dëshmitarëve okularë të thirrur në gjyqin ndaj Mamic, ish-shef ekzekutiv i Dinamo Zagreb, ku Modric luante përpara se të transferohej te Spurs-at në vitin 2008.

Ndër të tjera edhe për përvetësim dhe evazion fiskal, Mamic është gjithashtu i akuzuar për mbajtjen për veten e tij të një pjese të konsiderueshme të shumës së arkëtuar nga transferimi i Modric te Tottenham, në vend që ta derdhte të tërë shumën në arkën financiare të klubit të Dinamo Zagreb. Hetimet kanë konfirmuar se ai e ka përvetësuar atë shumë, madje edhe mbrojtja ligjore e Mamic nuk po bën as përpjekjen më të vogël për ta mohuar këtë fakt, por pretendojnë se nuk kishte asgjë të jashtëligjshme në atë veprim. Pjesa në diskutim është kontrata mes Dinamo dhe Modric, e cila mbante një aneks që specifikonte faktin se shuma e derdhur nga Tottenham për transferimin e mesfushorit do të ndahej në masën 50-50 mes klubit dhe futbollistit.

Mamic u bë shefi ekzekutiv i Dinamo Zagreb dhe u angazhua personalisht në negociatat e transferimit të futbollistit, dhe ajo që prokuroria po përpiqet të dëshmojë është fakti që aneksi i kontratës është firmosur pasi Modric kishte realizuar transferimin. Modric fillimisht konfirmoi se ishte pikërisht ky fakti dhe versioni i ngjarjeve të ndodhura, por më pas ai ndryshoi detajet e deklaratës së mëparëshme, duke pretenduar se u ngatërrua. “Teksa flisja për atë, e kisha fjalën për një kontratë personale mes meje dhe Mamic, që rregullonte ndarjen e shumës së transferimit”, është versioni i dhënë nga Modric. Deklaratë që ka nxitur Avokaturën e Shtetit që të çelë një hetim për Modric, pas dyshimeve për dëshmi të rreme.

Më shumë nga Futboll