• Është Milan-i i Deulofeu-t: vjen edhe thirrja nga “La Roja”

    Publikuar: 17 Mar 11:16

    I kanë mjaftuar më pak se dy muaj për të marrë Milan-in i cili tashmë shpreson të mos e humbasë në verë. Bëhet fjalë për Gerard Deulofeu, anësorin e ardhur me formulën e huazimit nga Everton-i në janar të këtij viti, por që është shndërruar menjëherë në një element të domosdoshëm për skemat e trajnerit Montella.

    I favorizuar edhe nga dëmtimi i Bonaventura-s dhe Suso-s më pas, përveç vështirësive të Bacca-s, Deulofeu është imponuar dhe ia ka dalë të fitojë fanellën e titullarit të cilën duket se nuk do ta heqë deri në fund të kampionatit. Pas këtij momenti është radha e Galliani-t të ndërhyjë te miku i tij Braida për ta bindur që  ta lërë spanjollin e talentuar në Milanello duke shmangur largimin e tij drejt Barcelona-s, e cila mund të ushtrojë të drejtën e riblerjes ndaj tij. Drejtori sportiv Maiorino në lidhje me këtë çështje është shfaqur mjaftueshëm optimist javën e kaluar përpara gazetarëve: “Braida dhe Galliani kanë një raport të bukur dhe nuk përjashtoj që të kenë folur edhe për Deulofeu-n. Do të shohim nëse do të jetë e mundur ta mbajmë këtu”.

    Vetë Deulofeu nga ana e tij mund të festojë rikthimin në kombëtare, ku tekniku Lopetegui nuk ka qëndruar indifferent ndaj performancave të anësorit me Milani-n dhe e ka përfshirë në listën paraprake të të thirrurve të Spanjës për impejnimin e dyfishtë ndaj Izraelit për “Rusia 2018” dhe miqësoren me Francën. Një ngjarje vërtetë e madhe për Deulofeu-n nëse kujtojmë se i vetmi precedent i tij me “Furitë e Kuqe” daton në majin e 2014-ës kur u thirr për një test ndaj Bolivisë. Ndërkohë shifrat nuk gënjejnë dhe tregojnë se Deulofeu është lojtari që gjuan më shumë në portë (0.88 për ndeshje), kroson sa dyfishi i anësorëve të tjerë dhe driblon sa trefishi i tyre. Dhe këto janë numra për një futbollist kalibri.


    Lexo postimet e tjera