• Euroleague: CSKA dorëzon spektrin, derbi ballkanas në finale

    Publikuar: 19 May 10:33

    Olympiacos dhe Fenerbahce janë dy ekipet finaliste të Euroleague në basketboll për meshkuj, të kualifikuara sot në mbrëmje, pas përfundimit të dy takimeve gjysmëfinale të “final four”, të luajtura në Stamboll. Një triumf i merituar i të dyja skuadrave, që përmbysën parashikimet, duke mundur rivalët. Në finale e Euroleague një derbi ballkanas mjaft interesant që do të luhet ditën e diel, një sfidë spektakli mes dy skuadrave që synojnë titullin e më të mirit në Europë. Ajo që bie në sy është eliminimi i CSKA Moskë, ekipi kampion në fuqi, që ishte favorit për të dalë në finale. Të dielën (ora 20:00) luhet finalja.

    Lojtaret e Olympiacos festojne kualifikimin ne finale

    Olympiacosit i mjaftoi 10-minutëshi i fundit për të mundur CSKA Moskë me shifrat 82-78, në përfundim të një ndeshje që për 30 minuta u dominua nga rusët. CSKA-ja edhe pse ishte favorite, nuk arriti të fitojë, duke gabuar pikërisht në minutat e fundit, atëherë kur dhe duhej të vuloste fitoren. Për CSKA-në u dallua Teodosic, që realizoi 23 pikë, mbështetur edhe nga De Colo me 16, por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen. Një lojë më e mirë kolektive e ekipit grek bëri diferencën në parket, me 4 lojtarë që realizuan mbi 12 pikë.

    Nga nje ndeshje e Fenerbahce ne Euroleague

    Në gjysmëfinalen tjetër sërish një rezultat surprizë, pasi ishin spanjollët e Real favoritë për të dalë në finale, si ekipi që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë. Por ndeshja e sotme tregoi se turqit ishin më superiorë në fushë, duke u shkëputur 21-13 që në periodën e parë, diferencë që u administrua me kujdes deri në fund (fituan 84-75). Fenerbahce përfitoi nga faktori fushë, mbështetur edhe nga fansat e shumtë, duke dalë fitues nga një ndeshje që e dominoi vazhdimisht. Më i miri në fushë për turqit ishte Udoh me 18 pikë, ndërsa për Real nuk mjaftuan 28 pikët e Llull dhe 21 të Carroll.

    Euroleague – Gjysmëfinale (sot)

    CSKA Moskë – Olympiacos, 78-82 (18-22, 22-21, 24-27, 14-22)

    Fenerbahce – Real Madrid, 84-75 (21-13, 23-21, 19-16, 21-25)

    Euroleague – Finalja

    Olympiacos – Fenerbahce, ora 20:00 (Stamboll-Turqi)


    Lexo postimet e tjera