• Europa League / Mbrëmje shtesash, Rashford nderon United

    Publikuar: 20 Apr 11:50

    Manchester United, Ajax, Lyon dhe Celta Vigo janë katër skuadrat gjysmëfinaliste të Europa League. Ky ka qenë verdikti i mbrëmjes në “kupën e vogël”, ku tre nga katër ndeshje shkuan në shtesë, për të përcaktuar ekipin e kualifikuar. Skuadra që fiton Europa League do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm. Të premten në mesditë hidhet shorti…


    Manchester United pati nevojë për golin e Marcus Rashford, në minutën e parë të shtesës së dytë, për të mposhtur Anderlecht. Pavarësisht se “djajtë” shënuan të parët me anë të Mkhitaryan, 90 minutat në “Old Trafford” u mbyllën 1-1, ashtu si një javë më parë në Belgjikë. Baraspesha vazhdoi derisa Rashford shënoi me kokë, në minutën e 106-të duke mbajtur gjallë shpresën për t’u rikthyer në Europën e lavdishme për ekipin e Jose Mourinho.

    Ndërkohë, Schalke 04 fitoi 3-2 ndaj Ajax, pas kohësh shtesë, por janë holandezët që kualifikohen për më tej. 90 minutat e rregullta u mbyllën 2-0 për gjermanët, aq sa kishin fituar “tulipanët” në ndeshjen e parë. Në shtesë, ku miqtë kishin mbetur me dhjetë futbollistë, Caliguri shënoi golin e tretë për Schalke 04, por Ajax shënoi plot dy herë me një lojtar më pak, duke merituar biletën për në raundin tjetër.

    E vetmja skuadër që nuk pati nevojë për shtesë që të vazhdonte më tej ishte Celta Vigo. Spanjollët barazuan 1-1 në Belgjikë kundër Genk, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Kjo është hera e parë në historinë e Celta që shkon në gjysmëfinalet e një veprimtarie europiane. Ndërkohë, mes Besiktas dhe Lyon, vendosën penalltitë pasi të dyja ndeshjet u mbyllën 2-1 për secilin ekip. Nga pika e bardhë e 11-metrave triumfuan francezët, që gjithashtu nuk kishin shkuar asnjëherë kaq larg në Europë.


    Lexo postimet e tjera