Basketboll

Europiani U-16 për djem, Shqipëria e mbyll në vendin e 8-të të Divizionit C

Kombëtarja U-16 për djem është renditur në vendin e tetë të Kampionatit Europian të basketbollit për moshën U-16, Divizioni C, takimet e të cilit u luajtën më datat 3-11 korrik në San Marino. Edhe pse Shqipëria e nisi mirë aventurën e saj në këtë turne, duke fituar dy takimet e para ndaj Moldavisë dhe Azerbajxhanit, të vlefshme për Grupin A, më pas erdhën 4 humbje radhazi. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Eni Llazani pësuan dy humbje, ndaj Austrisë dhe San Marinos në fazën e grupeve, duke u renditur në vendin e tretë dhe vijuan garën për renditjen përfundimtare në vendet 5-8.

Por edhe kjo fazë nuk ishte e mirë për basketbollistët e rinj të Shqipërisë, që u mundën nga Skocia për vendet 5-8 dhe më pas nga Malta në takimin e fundit, duke u klasifikuar në vendin e tetë, nga 10 ekipe pjesëmarrëse. Një rezultat jo fort pozitiv i kombëtares U-16 për djem, pasi pritej një tjetër paraqitje dhe renditje në këtë turne.

Rezultatet teknike të kombëtares U-16 basketboll djem

Shqipëri – Moldavi, 52-43

Shqipëri – Azerbajxhan, 66-48

Shqipëri – Austri, 37-61

Shqipëri – San Marino, 55-73

Shqipëri – Skoci, 48-75

Shqipëri – Maltë, 65-70

Më shumë nga Basketboll