Volejboll

Europiani U-19 për vajza, ja shorti i kombëtares kuqezi të rrjetës

Federata Shqiptare e Volejbollit do të organizojë më datat 1-9 shtator të këtij viti finalet e Kampionatit Europian të Volejbollit për kategorinë U-19 për vajza, event ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria, si vend organizator. Të mërkurën paradite, në kryeqytet, është hedhur shorti i këtij eventi, ku përveç drejtuesve të FSHV-së të pranishëm kanë qenë edhe drejtuesit e Federatës Europiane të Volejbollit (CEV), që kanë organizuar dhe monitoruar hedhjen e shortit.

Shqipëria, e cila drejtohet nga trajneri Roland Tarja, është pozicionuar në Grupin A, së bashku me ekipet e Polonisë, Italisë dhe Bullgarisë, ndërsa në Grupin B janë ekipet e Turqisë, Rusisë, Serbisë dhe Francës. Për t’u përcaktuar janë edhe 4 ekipe të tjera, nga dy për secilin grup, që do të dalin nga një fazë eliminatore që do të organizohet  në qershor, në Rumani e Greqi.

Kjo është hera e parë që Shqipëria organizon një event të tillë madhor në sportin e volejbollit, ku niveli është shumë i lartë dhe ku pritet të jetë përfaqësuesit më të lartë të volejbollit ndërkombëtar. “Jemi të nderuar që CEV na ka besuar këtë turne dhe jam i bindur se do të arrijmë të tregojmë aftësitë tona. Shpresojmë që Shqipëria të tregojë edhe në parket aftësitë e saj”, u shpreh Erlind Pëllumbi, presidenti i FSHV-së.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Volejboll