Kampionatet në Europë

Evra “kërcënon” me video: Betohem në Zot se do të kthehem më i fortë se kurrë!

Ish-mbrojtësi i majtë i Manchester United dhe Juventusit u pezullua nga Olimpique Marseille pasi goditi në formë karateje tifozin e skuadrës së tij, pas një shkëmbimi të nxehtë fjalësh. Megjithatë, 36-vjeçari nuk ka plane për t’i “varur këpucët në gozhdë”, sepse ende është i vendosur ta vazhdojë karrierën e tij si futbollist. Evra nuk është i panjohur për postimet motivuese që hedh në Instagram, ndaj nuk zhgënjeu as këtë të hënë në këtë drejtim. Ai u shfaq me “shtatë shpirtra” duke tërhequr një xhip përgjatë një rruge, ndërsa një mik i tij ishte ulur në majë të mjetit. Ndërsa shfaqet duke qeshur në kamer,a ai thotë: “I lumtur këtë të hënë. Ndonjëherë jeta ndjehet sikur është me të vërtetë e rëndë, por duhet të jini të qeshur dhe, sigurisht, të vazhdoni ta doni lojën tuaj. Betohem për Zotin se do të kthehem më i fortë se kurrë! Gjithmonë energji pozitive, mos ji dembel! Unë po shtyj një makinë, sepse dua të jem më mirë; edhe më mirë sesa kam qenë më parë”.

Evra ka nisur pezullimin e klubit të tij dhe të UEFA-s (shtatë muaj) pas goditjes së tij kung-fu ndaj një tifozi, ndaj nuk do të jetë në gjendje të garojë në ndeshjet e futbollit deri më 30 qershor 2018. Por, kjo nuk i ka penguar klubet që të mos kontaktojnë me agjentin e Evra, pasi ai zbuloi se “shumë njerëz kanë qenë në kontakt”. Federico Pastorello tha: “Natyrisht, ai nuk ndihet mirë në këtë moment, por karriera e tij nuk do të përfundojë këtu. Ai nuk dëshiron të largohet nga futbolli në këtë mënyrë. Fizikisht është më i fortë se pesë, apo gjashtë vjet më parë, ndaj shumë klube kanë hyrë në kontakt me ne. Patrice nuk do të kthehet në Seria A, pas kaq shumë vitesh te Juventus”.

Më shumë nga Kampionatet në Europë