Kampionatet në Europë

Fassone: Donnarumma dhe Raiola i kanë kushtuar Milanit 100 milionë euro

Drejtori përgjithshëm i Milanit, Marco Fassone, tha se Gianluigi Donnarumma dhe agjenti i tij i kanë kushtuar klubit 100 milionë euro me vendimin e tyre për të mos rinovuar kontratën e portierit. Tensionet po vazhdojnë pas vendimit të Donnarumma për të mos nënshkruar një rinovim, teksa marrëveshja e tij aktuale me Milanin përfundon në fund të sezonit 2017-2018. Portieri 18-vjeçar i ka zemëruar tifozët, të cilët hodhën para të rreme të shtunën, gjatë një ndeshjeje të U-21 mes Italisë dhe Danimarkës, ndërsa Mino Raiola pretendoi se Milani kishte ngacmuar klientin e tij dhe ka krijuar një ambient armiqësor për Real Madridin, Juventusin dhe Manchester United. Fassone i mohoi këto pretendime dhe këmbënguli se nuk kishte asgjë tjetër, që Milani mund të kishte bërë për të nënshkruar me Donnarumma.

Ndërkohë, shefi i klubit dha versionin e tij të ngjarjeve: “Askush nuk dyshon se ai ka të drejtë ta marrë këtë vendim, është një gjë e ligjshme, por duhet të punojmë brenda etikës së biznesit, – tha Fassone për “Corriere della Sera”. – Hidhërimi këtu ka të bëjë me mënyrën e pakëndshme, si është trajtuar situata. Kjo mund të ishte bërë pa e dëmtuar klubin, por duke e lënë kështu, ata i kanë kushtuar Milanit 100 milion euro. Nëse Donnarumma e vlen këtë shumë në moshën 18-vjeçare, kjo është edhe për shkak se klubi ka investuar në të, kishte guximin për ta angazhuar atë në ekipin e parë. Gjithçka që duhej të bënte ishte të thoshte se nuk dëshironte të qëndronte dhe do të kishim përtërirë me një klauzolë të arsyeshme për lirim. Atëherë, nëse klubi më i rëndësishëm në botë do të kishte ardhur, edhe këtë verë, do ta jepnim. Në këtë mënyrë, ajo që Real Madridi nuk na paguan ne si klub, do të përfundojë në xhepat e agjentit të tij. Të paktën do ta kisha riinvestuar atë shumë në futbollin italian.

Çdo herë që flisnim ballë për ballë, ose në telefon, Gigio na siguronte se donte të qëndronte, kështu që deri dy ditë para takimit të fundit me Raiolën, agjentin, nga ana tjetër, gjithmonë i besonim fjalët e portierit. Si klub, me të vërtetë nuk e di se ç’mund të kishim bërë më shumë për t’i dhënë Donnarummas dhe familjes së tij. Nëse ai do ta rishqyrtojë vendimin, jo vetëm do të mirëpritet me krahë hapur nga klubi i Milanit, por në fund mendoj edhe nga tifozët tanë. Nuk ka pasur kërcënime, pozicioni ynë është i qartë: Donnarumma nuk është në shitje dhe Vincenzo Montella do ta aktivizojë çdo javë. Për sa më përket mua, ai mund të luajë çdo ndeshje. Natyrisht, duhet të kërkojmë për një portier tjetër. Ne nuk mund të mbështetemi te dikush, që po vjen në fund të kontratës së tij, i cili ndoshta është duke menduar për Real Madridin, sidomos në një rol aq delikat, si ai i portierit.”

Më shumë nga Kampionatet në Europë