Connect with us

Merkato

Fassone, ish-arbitri që u bë mbreti i merkatos te Milan

Sot është një nga drejtuesit sportivë më të vlerësuar, një njeri i merkatos, të cilit drejtuesit e rinj të Milan i kanë besuar çelësat e zemrës së një klubi që duhet të kthehet protagonist. Dhe ai nuk po dështon. Marco Fassone, 53 vjeç, administratori i deleguar i Milan dhe njeriu i besuar i pronarit Li, nuk ka punuar gjithmonë pas një tryeze. Për një kohë të gjatë ka shkelur fushat e futbollit profesionist. Ka qenë viti 2001 dhe “hobby” i tij i preferuar ishte të punonte si asistent i arbitrit në Serie A dhe B. Me pak fjalë, ka qenë anësor.

Në ditët e sotme, Marco Fassone është lideri i pa diskutuar, bashkë me kolegun Mirabelli, i merkatos së futbollit. Është një dyshe perfekte, që i ka lejuar Milan të mbyllë disa operacione: Andrè Silva, Kessiè, Conti, Bonucci, Borini, Biglia, Musacchio. Sa për të përmendur disa në pritje të goditjes së madhe: “Gjeli” Andrea Belotti. Dhe përgjegjësi kryesor për gjithë këtë situatë është vetëm një njeri, i cili ka rolin e administratorit të deleguar dhe që mban çelësat e shtëpisë Milan.

Por në futboll, Marco Fassone, nuk ka pasur gjithmonë role si drejtues në nivele të larta. Një pasion i lindur nga larg, në kohët kur, për shkak të profesionit, shikonte diku tjetër, në ambiente dhe kompani të tjera. Si “Ferrero” dhe “Galbani”, kolosë të pasurisë ekonomike italiane. Në ato kohë, në 2001-n, ka hyrë pa shumë zhurmë në futboll, në rolin e arbitrit anësor. Një profesion që sulmohet shpesh nga gazetarët dhe tifozët. Pikërisht aty ka lindur “eksperti i futbollit” Fassone. Më pas ka filluar ngjitja e ngadaltë, por e vazhdueshme, në disa prej klubeve më të rëndësishëm të futbollit italian. E ka filluar nga maja, nga Juventus, ku në korrik të 2003-it është bërë pjesë e stafit bardhezi si Drejtor i Marketingut, duke krijuar dhe “Juventus Club”-in e parë në Kinë. I ka rënë në sy De Laurentiis që e do te Napoli i tij në rolin e drejtorit të përgjithshëm të klubit, një pozicion që kishte mbetur bosh pas zgjidhjes së kontratës me Pierpaolo Marino.

Më 30 maj të 2012-ës është bërë drejtori i përgjithshëm i Inter, deri në momentin e transferimit të fundit: 14 prill 2017. Me zyrtarizimin e kalimit të Milan nga Fininvest te biznesmeni kinez Li Yonghong, Fassone është bërë zyrtarisht administratori i deleguar i klubit kuqezi, duke zëvendësuar Adriano Galliani-n.

Më shumë nga Merkato