Tenis

Federer eliminohet nga Wimbledon, Djokovic shkon në gjysmëfinale

Roger Federer, kampion në fuqi dhe 8 herë fitues i grand slemit të Wimbledon është eliminuar nga turneu londinez i fushave me bar, pas humbjrs 3-2 në çerekfinale nga rivali afrikano-jugor Kevin Anderson. Një ndeshje që zgjati 5 orë e 15 minuta, një maratonë e vërtetë, një përballje mjaft e bukur mnes dy tenistëve, që dhuroi një rezultat surprizë. Një eliminim i papritur i numrit 2 në botë, që udhëhiqte 2-0 me sete (6-2, 7-6), por nuk arriti ta mbyllë ndeshjen. Anderson bëri një përmbysje fantastike, duke përfituar edhe nga gabimet e zviceranit, për të fituar tri setet e tjera 7-5, 6-4, 13-11.

Seti final ishte një maratonë e vërtetë, që zgjati 1 orë e 30 minuta, pasi tenistët fitonin “game” me shërbimet e tyre, por në një moment Federer, 36 vjeç, u duk i lodhur dhe humbi, ndërsa Anderson nuk u dorëzua dhe arriti të bëjë mrekullinë. Zvicerani eliminohet nga Wimbledon, turneu i tij i preferuar, me keqardhjen që nuk arriti të mbyllë një ndeshje që e kishte thuajse të fituar.

Tenisti serb Novak Djokovic mundi 3-1 japonezi Kei Nishikori (6-3, 3-6, 6-2, 6-2), një ndeshje e dominuar nga ish-numri 1 në botë, që edhe pse humbi një set, pati epërsi në fushë. Rivali japonez luajti me hope dhe nuk pati asnjë shans ta fitojë ndeshjen, ndërkohë që Djokovic kualifikohet pas tri vitesh në gjysmëfinalet e grand slemit londinez. Kjo është hera e 32-të që Djokovic kualifikohet në gjysmëfinalet e një grand slemi në karrierën e tij, por ky është një rezultat mjaft i mirë për të, pasi prej më shumë se një viti nuk arrinte këto nivele.

Më shumë nga Tenis