Tenis

Federer kërkon “Numrin 1” dhe ndryshon planet, në fushë në turneun e Roterdamit

Tenisti zvcieran Roger Federer ka pranuar sot një ftesë nga organizatorët e turneut të Roterdamit, turne që nis javën e ardhshme. Dy javë nga fitimit i grand slemit të Australian Open, zvicerani do të kërkojë të marrë kreun e renditjes botërore për meshkuj, për t’u bërë tenisti më i vjetër që bëhet “Numri 1”. “Ky turne është special për mua. Mbaj mend kur kam luajtur këtu për herë të parë, në vitin 1999, një nga turnetë e mi të parë në nivelet e larta. Do të jetë fantastike për mua të jem i pranishëm në këtë 45-vjetor të turneut të Roterdamit”, tha Federer.

Nadal ndodhet 155 pike para Federer ne renditjen e pergjithshme

Kjo nuk është hera e parë që Federer luan në këtë turne, ku ka qenë edhe 8 herë të tjera, por ka fituar vetëm në dy raste, në vitin 2005 dhe 2012. Për zviceranin nuk ka për të qenë e lehtë të triumfojë në këtë turne, pasi pjesëmarrës do të jenë edhe mjaft rivalë të fortë, si Grigor Dimitrov, Alexander Zverev e Nick Kyrgios. Federer duhej të rikthehej në fushë në turnetë Masters të Indian Wells dhe Majemi, në mars të këtij viti, por duket se ai synon kreun e renditjes botërore, ndaj vendosi të marrë pjesë në këtë veprimtari të sallave të mbyllura.

Hera e fundit që Federer ka qenë “Numri 1” në botë daton më 4 nëntor 2012, pozicion që e ka mbajtur për 302 javë. Në rast se rikthehet sërish në krye të renditjes, ai do të bëhet tenisti më i vjetër në histori që bëhet “Numri 1” në botë në moshën 36-vjeçare e 6 muaj.

Më shumë nga Tenis