Tenis

Federer leksion Nadal, triumfon në turneun Masters të Shangait

Roger Federer triumfoi në turneun Masters të Shangait, pas fitores 2-0 (6-4, 6-3) në finale ndaj rivalit e mikut të tij Rafael Nadal, duke ndalur marshimin e numrit 1 në botë. Një fitore e merituar e tenistit zviceran, që e dominoi ndeshjen në të dyja setet, duke konfirmuar se mbetet “macja e zezë” për spanjollin gjatë këtij viti, pasi e ka mundur në të gjitha përballjet e zhvilluara gjatë 2017-ës. Ndonëse pritej një finale më e fortë, Federer i mjaftuan 75 minuta për të ndalur furinë e Nadal, duke e dominuar ndeshjen në çdo drejtim dhe konfirmuar se rilindja po vazhdon të japë efekte.

Tenisti zviceran Roger Federer gjate finales

Dy tenistët u vunë përballë njëri-tjetrit në finalen e turneut të Shangait, tri javë pasi debutuan për herë të parë në krah të njëri-tjetrit në lojën dyshe. Por koha kalon shpejt dhe ata sot iu rikthyen rivalitetit më të madh të historisë së sportit të tenisit. Federer e nis shkëlqueshëm ndeshjen, duke fituar “game” që në shërbimet e para të Nadal, shkëputet 2-0 dhe fiton 6-4 setin e parë. Dominimi i zviceranit vazhdon edhe në setin e dytë, teksa pas barazimit 2-2 shkëputet sërish dhe fiton 6-3, duke nisur festën. Nadal luajti dobët, gaboi shumë dhe nuk ishte agresiv si Federer, që shfrytëzoi çdo gabim të kundërshtarit.

Tenisti spanjoll Rafael Nadal gjate finales

Ky është titulli i 94-t në karrierë për tenistin zviceran, i gjashti për këtë vit si dhe fitorja e 15-të në përballjet ndaj Nadal, me spanjollin që kryeson në sfidat direkte, pasi ka fituar 23 herë ndaj Federer. Tenisti zviceran tregoi edhe një herë se nuk ka “perënduar” dhe se po përjeton një rini të dytë, ashtu sikurse edhe Nadal. Këta dy tenistë vazhdojnë të dominojnë renditjen botërore, me Nadal që qëndron numri 1, ndjekur pikërisht nga Federer. Ata duket se do të vijojnë betejën mes tyre për ta mbyllur vitin 2017 në majën e renditjes, duke treguar se janë ikona të këtij sporti.

Më shumë nga Tenis