Tenis

Federer: I lumtur nëse bëhem numri 1 edhe vetëm për një javë

Luaj për t’u argëtuar, për pasion, për fansat e mi dhe për të fituar sa më shumë tituj. Numri 1 në botë nuk është më një prioritet për mua”, ka qenë deklarata e tenistit Roger Federer, që këtë vit ka fituar 5 turne dhe shumë shpejt mund ta shohë sërish veten në krye të renditjes. Në rast se rezultatet në turnetë Masters që zhvillohen në Amerikën e Veriut dhe në grand slemin e US Open do të jenë të mirë, atëherë tenisti zviceran mund të ngjitet në krye, pasi do të grumbullojë pikë. Federer nuk ka luajtur në këtë periudhë një vit më parë, nuk ka pikë për të mbrojtur në turnetë që vijnë, ndaj për të çdo pjesëmarrje është pozitive, pasi do t’i shtonte pikë në renditje.

Roger Federer gjate Wimbledonit

Jam ende duke shijuar triumfin në Wimbledon dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Nuk më intereson nëse kam 17, 18 apo 19 grand sleme të fituara, pasi thjesht argëtohem sa herë zbres në fushë. Nëse në fund të vitit do të jem numri 1 në botë padyshim që do të jem i kënaqur. Por do të kënaqesha njësoj edhe sikur të qëndroja në krye vetëm për një javë, pasi tregon se jam ende kompetitiv”, tha Federer, që nuk ka vendosur ende çfarë turnesh do të luajë. Prania e tij në Montreal është në dyshim, por e sigurt është prania në Sinsinati, turneun që i paraprin grand slemit të US Open. “Mund të luaj më shumë se në 6 muajt e parë”, tha zviceani.

Më shumë nga Tenis