Tenis

Federer: Nuk tërhiqem, pushime dhe më pas shihemi në Shangai

Eliminimi në çerekfinalet e grand slemit të US Open nuk ka për të ndalur tenistin zviceran Roger Federer, që ka deklaruar se do të vazhdojë të luajë këtë vit. Tashmë zvcierani do të jetë numri 2 në botë edhe pse synonte të kapte kreun në fund të këtij turneu. Por Federer u mund 3-1 në çerekfinale nga argjentinasi Juan Martin Del Potro. “Nuk kam për t’u tërhequr. Programi që kisha për pjesën e mbetur të sezonit nuk ndryshon”, ka thënë tenisti Roger Federer.

Tenisti zviceran Roger Federer

Zvicerani ka konfirmuar se do të jetë në fushë në mesin e tetorit, kur do të nisin turnetë aziatikë dhe do të luajë në turneun Masters të Shangait. “Do të pushoj për ca kohë, pasi jam lodhur nga US Open dhe kam nevojë të rikuperoj energjitë. Tani kam përpara turnetë e Shangait, Bazelit, Parisit dhe Londrës. Pra, do të respektoj programin. Këto kanë qenë planet dhe nuk do të ndryshojnë. Shpresoj të rikuperoj sa më shpejt dhe të fitoj në Shangai. Dua vetëm të luaj dhe argëtohem”, tha Federer.

Më shumë nga Tenis