Tenis

Federer optimist për të ardhmen: 2018-ta? Gjithnjë kam befasuar veten

Roger Federer, ashtu si zakonisht, ka zgjedhur Dubain se vendin ku po përgatit edicionin e tij të 21-të si tenist profesionist. Prej 10 ditësh ai ndodhet në shkretëtirë, ku po stërvitet së bashku me 17-vjeçarin kanadez Felix-Auger Aliassime, teksa përgatit debutimin në turneun e Hopman Cup, që nis më 30 dhjetor. Zvicerani është i vetëdijshëm se do ta ketë të vështirë të përsëritë vitin tjetër të njëjtat rezultate që arriti këtë vit, ku fitoi 7 turne, përfshirë edhe dy grand sleme. “E di që sezoni i ri nuk ka për të qenë kaq i bukur, nuk besoj se do të përjetoj sërish emocionet e 2017-ës. Ky ndoshta ka qenë viti im i preferuar. Megjithatë, gjithnjë kam befasuar veten dhe fansat e mi në këto vite, ndaj shpresoj që kjo gjë të ndodhë sërish”, tha Federer.

Roger Federer puth trofeun e Wimbledon

Duke vendosur objektiva, tenisti zviceran shton: “Do të isha i kënaqur nëse fitoj gjysmat e turneve të këtij viti. Jam kurioz gjithashtu të shoh se si do të paraqiten në rikthimin e tyre Djokovic, Murray, Ëaërinka, Nishikori e Raonic, pasi do të ketë më shumë rivalitet, çka do të thotë se do të humbas më shumë ndeshje e të mos fitoj 2-3 turne”, tha Federer, që duke folur për kalendarin e 2018-ës, shtoi: “Australian Open, Wimbledon dhe US Open do të jenë tri turnetë “big” ku do të marr pjesë dhe gjithçka do të vërtitet rreth tyre. Nëse do të jem në 100% të formës do të përsëris të njëjtët turne si këtë vit. Tërheqja? Pas 10 vitesh është e sigurt që nuk do të jem më duke luajtur”, u shpreh Roger Federer.

Më shumë nga Tenis