• Fejzullahi: Kreun e kapin ndaj Kukësit, titullin e fitojmë në Korçë

    Publikuar: 21 Apr 12:05

    Në prag të ndeshjes së javës së 30-të të Superiores, të cilën Partizani do ta luajë në “Selman Stermasi”, kundër durrsakëve të Maganit, ka dalë në konferencë për shtyp mbrojtësi i kuq, Arbnor Fejzullahi. Preshevari ka shprehur rëndësinë e madhe që kanë shtatë sfidat e mbetura të kampionatit, duke veçaur përplasjen direkte me Kukësin dhe përmbyllësen me Skënderbeun, në Korçë. Sidoqoftë, përqendrimi dhe fokusimi momental duhet të jetë i tëri te Teuta.

    A ishte një hap i gabuar për juve, barazimi ndaj Vllaznisë?
    Unë mendoj se nuk është një hap i gabuar, duke parë që Vllaznia i mori pikë edhe Kukësit në shtëpi. Nuk ka ndodhur asgjë, ne vazhdojmë rrugën drejt titullit kampion.

    Megjithatë, një shpërdorim mundësie mund të konsiderohet…
    Ne kishim mundësitë tona, që po t’i kishim shfrytëzuar si duhet, do të kishim dalë me fitore nga transferta shkodrane.

    A do të jetë ndeshja direkte me Kukësin, ajo që do të ndryshojë situatën në kreun e renditjes?
    Të gjitha ndeshjet kanë vlerën e tri pikëve, ndaj duhet ta nisim nga Teuta, një kundërshtar i vështirë. Pra, t’i marrim kundërshtarët një e nga një, fillimisht durrsakët, pastaj derbin me Tiranën. Çdo ndeshje e mbetur ka rëndësi maksimale për ne, ndaj nuk mund të mendojmë që tani për përplasjen direkte me Kukësin. Personalisht kam besim se do ta fitojmë duelin direkt me Kukësin dhe do ta kapim aty vendin e parë.

    Kohët e fundit keni arritur disa rezultate të çuditshme me Teutën: keni fituar në Durrës dhe keni barazuar në shtëpi. Kësaj here, si do të ndodhë?
    Eshtë një ndeshje e vështirë me Teutën, sepse kjo skuadër luftoin për mbijetesë, ka nevojë jetike për pikë. Shpresoj që të fitojmë ne, sepse jemi pritës, do të kemi edhe tifozërinë me vete.

    Fazën e tretë keni vuajtur shumë ndaj Teutës, derisa u ndatë me barazimin 0-0. A mendoni se kësaj radhe do ta zgjidhni më kollaj ndeshjen?
    Mendoj se do të fitojmë. Si në ndeshjet e tjera, me rëndësi është që të shënojmë; pak rëndësi ka se nga vjen goli, nga sulmi, mesfusha apo edhe mbrojtja. Kemi avantazh jo vetëm faktorin-fushë, por edhe tifozët, që na mbështesin fuqishëm.

    A prisni se mund të gabojnë rivalët tuaj këtë javë?
    Ne duhet të shohim pikë së pari ndeshjen tonë, të marrim maksimumin. Pastaj, po u ndalën rivalët tanë, aq më mirë.

    A është i varur Partizani nga paraqitja dhe efikasiteti i Ekuban?
    Partizani nuk duhet të varet vetëm nga Ekuban, sepse ka lojtarë cilësorë në të gjitha repartet. Kemi mjaft alternativa, që mund të shënojnë golin, ose ta zgjidhin ndeshjen.

    Nëse nuk mundni dot Teutën, a do të ishte kjo një vetëvrasje në luftën për titull?
    Normalisht, po. Po nuk fituam ndaj Teutës këtë javë, do të bëhet tepër e vështirë gara për titullin. Nuk na vlen edhe barazimi, por në çdo rast nuk do të dorëzohemi deri në fund.

    I druheni më shumë Kukësit, apo Skënderbeut, në luftën për titull?
    Të dyja skuadrat janë aty-aty, me përbërje të mirë. I konsiderojmë rivale të denja të dyja palët.

    A keni ndonjë plan të ri për mbas këtij kampionati?
    Për momentin jam i përqendruar te këto ndeshje, që t’i fitojmë. Po dolëm kampionë është më e lehtë jo vetëm për mua, por për çdo futbollist që të vendosë të ardhmen, sepse Partizanit do t’i rritej vlera. Të shohim ç’do të ndodhë.

    Nëse do të shkonte për ndeshjen e fundit çështja e titullit, sa e vështirë do të ishte për Partizanin në Korçë?
    Po të shkonte deri në fund, shpresoj të ndodhë si vitin e kaluar: ta mundim Skënderbeun në shtëpi dhe të shpallemi kampionë. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për ta mbyllur sezonin.


    Lexo postimet e tjera