Futboll

Femrat / Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë

Një tjetër trofe për ekipin e Vllaznisë në futboll për femra. Paraditen e sotme ai ka arritur të bëjë “pronë” të vetën trofeun e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2015-16. Ka ndodhur kështu pasi ka mundur në finale ekipin e Kinostudios me rezultatin e thellë 6-0. Një ndeshje e zhvilluar në fushën e kompleksit “Olimpic” në Yrshek të Tiranës dhe që është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh të ardhur nga Shkodra. Duket se ata e kishin parandjerë fitoren e kësaj kupe dhe prandaj kishin ardhur me fishekzjarre me vete dhe me një festë të përgatitur që përpara. Në fakt edhe takimi final këtë gjë tregoi.

Finalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Kinostudio 6-0.

Finalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Kinostudio 6-0.

Ambra Gjergji do të shënonte që në minutën e 6-të të ndeshjes ndërkohë që më pas do të ishte kapitenia Uendi Muja që do të shënonte në minutat 14’ dhe 38-të dy herë. Për të mbyllur pjesën e parë do të mendonte mbrojtësja Luçije Gjini që do të shënonte edhe golin e katërt në minutën e 43-të. Me rezultatin 4-0 do të mbyllej 45 minutëshi i parë që vërtetoi më së miri diferencat në fushë në mes dy ekipeve.

Vllaznia hipotekon kupën e tretë radhazi.

Vllaznia hipotekon kupën e tretë radhazi.

Në pjesën e dytë do të ishte Megi Doçi që do të shënonte edhe dy gola të tjerë duke bërë që rezultati përfundimtar i takimit të ishte 6-0 në favor të Vllaznisë që kësisoj do të shpallej fituese e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon. Kupën kapitenes Muja do t’ia dorëzonte anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, z. Vasil Bici. Në këtë mënyrë ekipi shkodran fiton të tretën kupë rradhazi dhe pret që pas dy muajsh të kurorëzohet edhe kampione e vendit për të tretin vit rradhazi duke shfaqur dominimin e tij absolut në futbollin shqiptar të femrave.

[interaction id=”56d332b4ac5895475cc5bfdd”]

Më shumë nga Futboll