Argetim

“Fenomen i ri te Juventusi”, mashtrimi i madh i futbollistit fals

Para disa dekadash ekzistonin histori si ajo e Carlos ‘Kaiser’ Raposo, i cili shtirej si futbollist klasi dhe ndërroi shumë klube pa luajtur asnjëherë, duke mashtruar në mënyra të ndryshme. Ishte e mundur, pasi mjaftonin pak miq të mirë në botën e futbollit dhe nuk ekzistonin si tani transmetimet live dhe YouTube, ndaj gjithkush mund të bëhej futbollist i madh nëse një agjent i fuqishëm dhe ndonjë futbollist me emër e reklamonin si fenomen.

A mund të ndodhin gjëra të tilla tani, në epokën e internetit dhe televizionit? Në nivele të botës së tretë ndodhin, edhe në Shqipëri na vijnë plot futbollistë që jo vetëm nuk kanë CV, por me zor vrapojnë 25 metra.

Megjithatë, të bën përshtypje historia e publikuar këto ditë në mediat meksikane, sepse një djalosh i quajtur Dionicio Farid Rodríguez Durán, nga Meksika, i cili është bërë i famshëm në mediat e vendit të tij me një mashtrim kolosal.

Dionicio ka folur për media të ndryshme, duke u shtirur si lojtar i Juventusit, që në fakt e ka nxjerrë blof kur ka mësuar për këtë histori.

“Futbollisti” 19-vjeçar kishte mbushur rrjetet sociale me foto ku pretendonte se ishte pjesë e klubit legjendar italian dhe në Instagram ka 16 mijë ndjekës, duke shkruar në biografinë e tij se është futbollist profesionist i Juventusit. Fotot? Të gjitha mashtrime, aq sa ka edhe fotoshop për të futur fytyrën e tij mbi fytyrën e një lojtari tjetër. Kjo ka bërë që ditët e fundit llogaria në Instagram të mbyllet, pasi u bë publik mashtrimi.

Me një profesionalizëm të paparë, disa media në Meksikë kanë shkruar artikuj plot lëvdata për fenomenin e ri, duke shtuar edhe detaje të pabesueshme për sezonin e suksesshëm të talentit të Juventusit, me 10 gola të shënuar, 3 prej të cilëve në Youth League.

Në Meksikë thonë se djaloshi në fjalë ka luajtur edhe në kategorinë e dytë meksikane, por askush nuk i ka verifikuar këto pretendime.

Një gazetë shkruante se Juventusi e zbuloi në një turne amerikan dhe fitoi garën me disa klube spanjolle për të firmosur me të. Më pas Dionicio u bë pjesë e Juventus B dhe luan si qendërmbrojtës!

Gjithsesi, nuk duhet të habitemi shumë, janë gjëra që ndodhin. Edhe në Shqipëri ka media që shkruajnë e raportojnë për fenomenë që kalojnë nga një akademi te tjetra, nga Anglia deri në Itali e Spanjë. Estradë…

Më shumë nga Argetim