Formula 1

Ferrari 24 orë në punë, vetëm 2 ditë pushim për Krishtlindje

Pushimet dimërore për Ferrarin kanë qenë të limituara, ato kanë zgjatur vetëm 48 orë, koha e nevojshme për të qëndruar e festuar pranë familjes për Krishtlindje. Pjesa tjetër e kohës po kalohet në Maranello, aty ku prej javësh po punohet për të ringritur në këmbë makinën ikonë të garave të Formula 1, që prej vitesh ka rënë në gjumë letargjik. Fitoret janë me pikatore, ndërsa titujt mungojnë prej një dekade, ndaj drejtori sportiv Maurizo Arrivabene ka dhënë urdhër që të punohet çdo orë, madje çdo minutë e sekondë, për të ndërtuar një makinë të shpejtë dhe fituese në pistë. Gjërat duket se po ecin mirë, sipas planifikimit, por për të arritur Mercedes duhet ende shumë punë.

Ne Maranello punohet per ndertimin e Ferrarit te ri

Jemi të përqendruar në punë. Kokulur dhe fjalëpak, pasi nuk kemi asgjë për të thënë, por kemi shumë për të punuar. Sa më pak fjalë dhe sa më shumë punë nëse duhet të rikthehemi fitues”, ka thënë presidenti i Ferrarit, Sergio Marchionne, sot nga Maranello, ku dhe ndodhej për një vizitë, për të parë punën e kryer gjatë kësaj periudhe. Ferrari i këtij viti do të prezantohet me 24 shkurt, ndaj kanë mbetur edhe 45 ditë punë për të bërë ëndrrën realitet. “Nuk nisemi si favoritë, jemi me këmbë në tokë dhe punojmë për të evituar çdo të papritur. Nuk duam të përsëritim një dështim si ai i vitit që shkoi”, tha më tej Marchionne, që konfirmoi se gjatë janarit do të jenë në Maranello të dy pilotët, Vettel e Raikkonen, që do të alternohen gjatë kësaj periudhe.

Më shumë nga Formula 1