Formula 1

Ferrari do të garojë në kampionatin Indy nëse largohet nga Formula 1

Skenari i largimit të mundshëm të Ferrarit nga Formula 1 ka njohur sot një tjetër zhvillim. Mediat italiane raportojnë se makina “kokëkuqe” mund të garojë në kampionatin Indy në rast se vendos të largohet nga Formula 1. “Pse jo, mund të garojmë aty, pasi jemi një makinë me traditë kudo dhe po e mendojmë një gjë të tillë”, tha Sergio Marchionne, presidenti i Ferrarit. Deklaratë që ka shijen e kërcënimit nga ana e makinës italiane, që ka nisur një betejë me Liberty Media në lidhje me ndryshimet që kjo e fundit synon të bëjë në këtë sport.

Sergio Marchionne, presidenti i Ferrarit

Ferrari mund të largohet nga kampionati aktual pas vitit 2020, kur skadon kontrata me Formula 1, por kjo mund të ishte një vetvrasje për këtë sport, pasi “kokëkuqja” është makina historike e këtij sporti, që ka mjaft fansa dhe mund të tërheqë pas vetes edhe skuadra të tjera. Tashmë aleanca Ferrari-Mercedes është solide dhe asaj i është bashkuar edhe McLaren, tri skuadra që mbajnë peshën e këtij sporti. Ideja tjetër e Ferrarit është të krijojë një kampionat alternative, që do ta shkatërronte përfundimisht Formula 1 të Liberty Media.

Pronari aktual Chase Carey dhe ish-presidenti i Formula 1, Ecclestone

Ndaj palët pritet të ulen së shpejti në tavolinë për të diskutuar të ardhmen e këtij sporti, rregullat e reja që Liberty Media synon të adaptojë, për makina të ngjashme, por kjo gjë nuk i intereson Ferrarit. Makina italiane po bën lëvizjet e para, takimet e para, për momentin alternative në rast se marrëveshja me Liberty Media dështon. Ka edhe një precedent, kur në vitin 1986, Ferrari kërcënoi Formula 1 se do të shkojë në një kampionat tjetër në rast se nuk aplikohen kërkesat e saj, çka solli tërheqjen e drejtuesve të këtij sporti.

Më shumë nga Formula 1