Formula 1

Ferrari “dopietë” në Hungari, triumfon Sebastian Vettel

Sebastian Vettel me Ferrari ka fituar sot garën e Çmimit të Madh të Hungarisë në Formula 1, suksesi i 4-t sezonal për pilotin gjerman, që rikthehet te suksesi, duke u shkëputur 14 pikë në renditje nga rivalët. Edhe pse në vështirësi në gjysmën e dytë të garës, makina italiane arriti një fitore të dyfishtë të merituar në pistën e Hungaroringut, me Kimi Raikkonen që zuri vendin e dytë. Ferrari arriti të përballojë me sukses presionin e Lewis Hamilton me Mercedes, që për 20 xhiro tentoi të bëjë mrekullinë, por në fund u kënaq me vendin e katërt, duke lëshuar podiumin xhiron e fundit. Piloti britanik (i katërti) pati shansin të duelojë për fitore, por ishte i pafuqishëm për të parakaluar makinën Ferrari , që e meritoi fitoren, në një garë të cilën e dominoi. I treti u rendit Bottas, që rimori pozicionin e tretë (e pat lëshuar në mesin e garës) dhe u ngjit në podium.

Nga starti i gares se Hungarise

Gara nis menjëherë me surpriza, me makinën e sigurisë që hyn në pistë që në xhiron e parë, pas një kontakti mes dy makinave Red Bull. Është Max Verstappen ai që përplas dhe nxjerr jashtë piste shokun e skuadrës Daniel Ricciardo, duke detyruar australianin të braktisë garën pas vetëm pak metrash. Me rinisjen e garës, Hamilton që u nis keq herën e parë, tenton të rikuperojë ndaj Verstappen, që mbrohet mirë. Më pas, gara është e qetë dhe pa emocione, me dy pilotët Ferrari që ruajnë kreun, të shkëputur nga njëri-tjetri dhe të pashqetësuar nga rivalët. Bottas, i treti, mban pas Verstappen e Hamilton, ndërsa një incident kurioz ndodh me makinën e Grosjean, që braktis garën, pasi mekanikët nuk i montojnë mirë gomën e pasme.

Ricciardo dhe Verstappen para kontaktit ne xhiron e pare

Pas xhiros së 30-të nisin ndalesat e para dhe të vetme për ndërrimin e gomave dhe i vetmi që shtyn futjen në bokse është Verstappen, që për disa xhiro merr kreun e renditjes. Pas tij, janë dy makinat Ferrari e më pas dy makinat Mercedes, ndërkohë që synon një renditje të mirë në zonën e pikëve edhe Fernando Alonso me McLaren. Pas xhiros së 40-të, makinat Mercedes afrohen shumë me ato Ferrari, duke e bërë mjaft interesante garën, ndërsa Verstappen lëshon kreun pasi ndërron gomat dhe zbret i pesti. Kështu, 25 xhiro nga fundi, katër makinat e para janë në harkun kohor të 5 sekondave, me Vettel që lë pas Raikkonen, Bottas e Hamilton.

Nga gara e sotme ne Hungari

Urdhërat e skuadrës detyrojnë Bottas të hapë krahun dhe të lërë Hamilton të parakalojë, me britanikun që afrohet deri në 1 sekondë karshi dyshes së Ferrarit, që nuk ka më atë shpejtësi dhe dominim në pistë si në pjesën e parë garës. Për pasojë, 10 xhirot e fundit bëhen dramatike, me Hamilton që pasi ka siguruar podiumin synon diçka më shumë, ndërsa Ferrari mbrohet me vështirësi. Por makina “kokëkuqe” ia del mbanë të mbrojë dy vendet e para, duke arritur kështu një fitore të dyfishtë të merituar. Hamilton, duke parë se nuk kapi dot dy makinat Ferrari, në xhiron e fundit “hap krahun” dhe i jep Bottas vendin e tretë. I pesti u rendit Max Verstappen me Red Bull dhe i gjashti Fernando Alonso me McLaren, rezultati më i mirë për të këtë sezon. Në zonën e pikëve hyjnë edhe Sainz (Toro Rosso), Perez e Ocon me Force India si dhe Vandoorne me McLaren. Botërori i Formula 1 nis pushimet dhe rikthehet më 27 gusht, në Belgjikë.

Renditja a gares se Hungarise

Më shumë nga Formula 1