Kampionati Shqiptar

Festa e titullit, Skënderbeu përgatit dekor special për 23 majin

Skënderbeu u shpall kampion i shqipërisë në futboll për të tetën herë në historinë e tij si klub. Por ky i këtij sezoni është titulli më i veçantë, për shumë arsye. Ndaj në Korçë kërkojnë ta kthejnë në festë 23 majin, ditën kur është vendosur të zhvillohet edhe ceremonia e titullit kampion.

Klubi ka njoftuar këtë të martë të gjithë tifozët se për festën është përgatitur një ceremoni e veçantë e dorëzimit të titullit të 8-të kampion. Dekori përfshinë edhe një bluzë, në pjesën e parë të së cilës shkruhet: “Të duam Skënderbe, Kampion”, ndërsa në pjesën e pasme shkruhet: “Forca Ujqër”, e shoqëruar dhe me stemën zyrtare të klubit.

Dizajnin e ri të bluzës për festën e titullit kampion e ka publikuar vetë klubi në faqen zyrtare të tij, ku shkruan gjithashtu: “Klubi i futbollit “Skënderbeu” ka dizenjur bluzën zyrtare të festës, e cila do të jetë gati brenda disa ditësh dhe do të dalë në shitje kundrejt një çmimi simbolik. Ceremonia e dorëzimit të titullit do të zhvillohet më 23 maj, datë në të cilën do të luhet edhe takimi i fundit i sezonit, ndaj Vllaznisë.

Bluza #Champi8ns do të dalë në shitje te pikat e shitjes së biletave dhe blerja do të jetë opsionale. Kundrejt çmimit simbolik prej 300 lekësh, tifozët mund të pajisen me bluzën #champi8ns dhe biletën e ndeshjes. Për të gjithë ata që nuk janë të interesuar për bluzën e festës, hyrja në tribunat A, B, C, D dhe E do të kushtojë 100 lekë. Për detaje të mëtejshme do të ketë një njoftim të dytë nga klubi. Le ta kthejmë në festë madhështore”!

Më shumë nga Kampionati Shqiptar