Futboll

Fiton dhe konsolidon vendin e tretë, Flamurtari rikthen Partizanin te disfata

Flamurtari ka kthyer të kuqtë te humbja, pasi ka mundur Partizanin në “Selman Stërmasi” me rezultatin e ngushtë 0-1, falë golit të Hoxhaj në minutën e 25’. Skuadra e drejtuar nga Mark Iuliano është rikthyer kështu te disfata, pas tre fitoresh të njëpasnjëshme, duke kompromentuar edhe një herë pozitat e Partizanit, që tashmë largohet edhe më shumë nga kreu i klasifikimit, plot 11 pikë distancë nga Skënderbeu që udhëheq renditjen. Jo vetëm kaq, pasi të kuqtë mund të ndjejnë shumë pranë presionin e Laçit dhe Kamzës. Nga ana tjetër, skuadra e Flamurtarit rikonfirmon momentin pozitiv, duke konsoliduar pozitat në vend të tretë të klasifikimit, në kuotën e 15 pikëve, vetëm dy më pak se Kukësi në vend të dytë.

Në një ndeshje përgjithësisht të karakterizuar nga një lojë intensive të zhvilluar në mesfushë dhe prej goditjeve nga distanca, ai i minutës së 25’ rezultoi të ishte aksioni që vendosi fatin e takimit, duke i dhënë Flamurtarit lavdinë e një fitore të rëndësishme në transfertë. Pikërisht në minutën e 25’, futbollisti i ekipit vlonjat, Ardit Hoxhaj ka bërë gjithçka shumë bukur, teksa nën markimin e dy mbrojtësve, fillimisht ka stopuar një top të servirur në zonë dhe më pas ka goditur menjëherë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Partizanit. Të pafuqishëm janë shfaqur të kuqtë për të kërcënuar portën e Flamurtarit, deri në minutën e 90’, kur Malota shpërdoroi një shans të artë për të dërguar topin në rrjetë dhe barazuar shifrat.

Image may contain: one or more people, people playing sports, stadium and outdoor

Partizani-Flamurtari 0-1
Shënues: Hoxhaj 25′

Partizani: Hoxha, Progni, Malota, Ibrahimi, Kalari, Vila, La Camera, Batha, Adorian, Trashi, Basrak.
Trajner: Mark Iuliano

Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta, Useini, Sidibe, Hoxhaj, Kamara, Alvesh, Bushic.
Trajner: Shpëtim Duro

Arbitër: Kridens Meta

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll