Kampionati Shqiptar

Flamurtari dhe Shpëtim Duro, shkëlqimi dhe rënia e një ekipi bashkë me trajnerin

16 shtator 2017 deri në 9 dhjetor 2017 dhe 18 shkurt 2018-të deri në 14 prill 2018-të, janë këto katër datat që shënojnë sezonin me dy fytyra të skuadrës së Flamurtarit këtë kampionat.

Nga 16 shtatori i 2017-ës, skuadra vlonjate zhvillon 13 ndeshje pa asnjë humbje, ku 6 i fiton dhe në 7 të tjera merr barazime. Ishte ky shkëlqimi i skuadrës nën drejtimin e Shpëtim  Duros, e cila në ato muaj dukej të ishte rivalja e vetme e Skënderbeut në luftën për titullin kampion. Skuadra dukej kompakte, ishte e qetë në fushë, mbronte mirë, por edhe dilte në mënyrë të organizuar në fazën ofensive, Bushiç dhe Alvesh ishin ata që bënin diferencën. Por një merkato deri diku e fortë me lojtarë të rinj që erdhën me pompozitet në skuadër dhe dy javë pushim, duket sikur nuk bënë mirë në kampin kuq e zi.

Fill pas nisjes së fazës së tretë të kampionatit, Flamurtari hyn në një errësirë rezultatesh të frikshme. Nga 18 shkurti i këtij viti, deri në 14 prill, Flamurtari numëron vetëm dy fitore në kampionat të arritura me skuadrën e vendit të fundit, Lushjen. Ajo që ka ndodhur në skuadrën bregdetare është e pashpjegueshme dhe shumë e vështirë për tu kuptuar. Është gati absurde ajo që ka ndodhur në Vlorë në këto dy muaj, që një skuadër, nga rivale për titullin kampion në fillim të fazës së tretë, në 7 javë nga fundi i sezonit, të jetë e rrezikuar për të rënë nga kategoria.

Humbja e fundit në Vlorë me Skënderbeun 0-2 dhe rrjedhimisht eleminimi nga Kupa e Shqipërisë është etapa finale e gjendjes katastrofale në klubin vlonjat. Me eleminimin nga Kupa, erdhi sipasojë edhe largimi nga drejtimi i skuadrës i Shpëtim Duros, i cili ishte cilësuar si strategu i rilindjes së klubit kuq e zi, vetëm pak muaj më parë. Por duket se ajo është që është duke ndodhur në Vlorë është shumë më e madhe se Shpëtim Duro dhe tekniku tiranas nuk mundi dot të rezistonte më gjatë se një vit në krye të asaj pankine që duket shumë e nxehtë. Me këtë dorëheqje të tij kompletohet edhe epilogu i rënies së klubit vlonjat bashkë me teknikun tiranas. Vlen për tu theksuar se në 8 vitet e fundit, në Vlorë nuk pasur asnjë trajner që të ketë qëndruar më shumë se një vit në krye të Flamurtarit.

Shkaqet e kësaj gjendje nuk mund të gjenden lehtë, sepse në Vlorë nuk mund të flasim për mungesë parash, pasi është nga klubet me rrogat më të larta, por as mungesë kapacitetesh njerëzore, për vetë faktin se disa nga lojtarët apo trajnerët më të spikatur të Superiores janë me origjinë nga Vlora. Problemet dhe situatën e krijuar në klubin vlonjat, mund ta shpjegojmë vetëm me një fjalë, keqmenaxhim. Ky fenomen mund të thuhet pa frikë që ka nisur që nga koha kur klubi administrohej nga bashkia e Vlorës dhe ka vijuar edhe tani, në vitet kur ai është në dorë të kompanive private turke.

Përtej objektivave afatgjatë dhe një titulli kampion që kërkohet me aq shumë ngulm në Vlorë, Flamurtari këtë sezon do duhet të mendojë seriozisht për të evituar ndonjë katastrofë, siç do të ishte rënia nga kategoria, pasi Teuta me Vllazninë janë vetëm 6 pikë më pak. Në raundin e 30-të të Superligës, Flamurtari do të pres në shtëpi, Teutën që mund të jetë shansi i fundit për të shpëtuar nderin sezonal të një skuadre me shumë peshë në futbollin tonë.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar