Futboll

Flamurtari dominon Lushnjën dhe konsolidon vendin e dytë

Ka përfunduar pa surpriza ndeshja e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore mes Flamurtarit  dhe Lushnjës, me vlonjatët që kanë fituar me rezultatin 2-0. Gol i realizuar nga Bicaj në minutën e 65’ ka mjaftuar për të qetësuar Flamurtarin, që në minutat shtesë, ka dyfishuar me Alves. Fitore që ka konsoliduar pozitat e kuqezinjve të Vlorës në vend të dytë të klasifikimit, në kuotën e 35 pikëve, 11 më pak se Skënderbeu kryesues dhe 5 pikë më shumë se Laçi i vendit të tretë. Një sfidë në të cilën të dyja skuadrat, edhe pse në pozita dhe me objektiva ekstremisht të kundërta nga njëra tjetra, kanë ardhë të barabarta në faktin se drejtoheshin nga zëvendëstrajnerët respektivë, Jeton Beqiri që udhëhiqte Flamurtarin në mungesë të Duros së skualifikuar dhe Dritan Çuko që drejtonte lagunarët, pas largimit të Hysen Dedjas.

Sikurse ishin edhe pritshmëritë, ishte skuadra e Flamurtarit ajo që ka dominuar që nga fillimi i takimit, me raste të shumta, por në mungesë të fatit dhe saktësisë para portës, duhej pritur deri në minutën e 65’ që të çbllokohej rezultati. Dy shtylla dhe një penallti të pretenduar, u kapërcyen falë golit të realizuar nga Bicaj. Ky i fundit në të 65’ ka dalë në ndihmë të sulmit dhe ka shndërruar në gol një top të shërbyer nga Hoxhaj. Një epërsi që është thelluar në minutat shtesë të takimit, kur Alves ka dyfishuar shifrat në favor të vendasve. Nga ana tjetër Lushnja nuk ka mundur dot të rezistojë dot më shumë ndaj presionit të vlonjatëve. Në kuotën e 10 pikëve pas 20 javësh, fati i lagunarëve tashmë është shkruar për tu rikthyer andje nga erdhën, në Kategorinë e Parë. 

Flamurtari-Lushnja  2-0

Shënues: Bicaj 65’, Alves 91’

Flamurtari: Nurkovic, Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta, Sidibe, Useini, Nedeljokovic, Hoxha, Camara, Busic.
Trajner: Jeton Beqiri

Lushnja: Spaho, Meto, Prençi, Bufasi, Ruço, Magani, Gava, Papa, Branica, Canka, Sefa.
Trajner: Dritan Çuko


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll