FSHF

Flamurtari e akuzoi ashpër, FSHF-ja përgjigjet me faktet e saj

Klubi vlonjat i futbollit e akuzonte FSHF-në për standarte të dyfishta, për prishje të garës, nisur nga lëvizjet e shumta me oraret dhe vendzhvillimet e disa ndeshjeve. Shtysë për këtë “shfryrje” të radhës të kuqezinjve bregdetarë të Vlorës u bë shtyrja me një javë në kohë e zhvillimit të sfidës së javës së 10-të të Superiores, Vllaznia-Lushnja. Nuk ka vonuar dhe ka mbërritur reagimi zyrtar i FSHF-së: “Federata Shqiptare e Futbollit, referuar së fundi edhe shqetësimit të FC Flamurtarit në lidhje me ndryshimet në kalendarin e kampionatit në këto javë, kërkon të risjellë edhe një herë në vëmendje jo vetëm të klubit vlonjat, por edhe të të gjitha klubeve, opinionit sportiv, që të tilla vendime kanë ardhur vetëm pas një arritjeje absolute të konsensusit mes klubeve përkatëse, ndeshja e të cilëve është ndryshuar në datë dhe vend. Në asnjë rast tjetër, FSHF nuk ka hedhur asnjë hap në vendimmarrje për ndryshim të kalendarit, pa patur më parë zyrtarisht nga të dyja klubet kërkesën për shtyrjen e ndeshjes.

Më konkretisht:
– Ndeshja e ndryshuar së fundi mes Vllaznisë dhe Lushnjës, e planifikuar për t’u luajtur në Shkodër, sipas kalendarit, është shtyrë dhe nuk do të zhvillohet këtë mesjavë, pasi të dyja klubet, në rakordim dhe konsensus të plotë me njëri-tjetrin, i kërkuan FSHF-së për këtë shtyrje. Administratori i klubit të futbollit “Vllaznia”, Astrit Gjyrezi, dhe Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, kanë kërkuar nëpërmjet një komunikimi me sekretarin e përgjithshëm që për shkak të fushës së “Loro Boriçit” ende në rikonstruksion, ndeshja të luhej në një datë tjetër. Parë këtë vullnet dhe konsensus të përbashkët nga të dyja klubet, Sektori i Garave në FSHF vendosi që ndeshja të luhet javën e ardhshme.
– Po kështu, edhe sfida mes Vllaznisë dhe Skënderbeut në kalendar, që u vendos të luhej në fushën e Korçës këtë fazë dhe në Shkodër fazën tjetër, ishte produkt i konsensusit mes dy klubeve dhe FSHF-ja e miratoi këtë zëvendësim fushash nga faza në fazë.
– Në lidhje me pretendimin e FC Flamurtarit, që kërkoi shtyrjen e ndeshjes me Luftëtarin, këtë vendim FSHF-ja nuk e mori për faktin se kishte vetëm një kërkesë të njëanshme, vetëm nga klubi i Flamurtarit, por jo një të tillë nga Luftëtari. Për pasojë, pa patur “OK” e të dyja klubeve, ndeshja nuk u spostua. Por, kjo për faktin e mosarritjes së akordit mes dy klubeve, jo për paranoja periferike konstante, sikundër shpesh hamendësohet.

FSHF-ja do të jetë gjithmonë shumë e ndjeshme karshi garës, duke patur shumë prioritar konsensusin e klubeve, por edhe ruajtjen e infrastrukturës. Në asnjë rast nuk ka ndodhur që Flamurtari të ketë kërkuar shtyrje të ndeshjes së tij, në konsensus edhe me ekipin që ka luajtur, dhe që FSHF-ja nuk e ka miratuar. Çdo vendim ka ardhur si pasojë e vullnetit të klubeve në garë”.

Më shumë nga FSHF