Kampionati Shqiptar

Flamurtari “ndez motorrët”, katër rinovime kontratash në një ditë

Flamurtari i ka “ndezur motorrët” për sezonin e ri futbollistik. Si përherë, në vitet e fundit, me objektiva madhorë, fitimin e titullit kampion dhe, pse jo, Kupës së Shqipërisë. Nëse fillimi ka qenë i mbarë në të shkuarën e afërt, por mbarimi negativ, për të ndryshuar këtë trajektore është marrë trajneri kampion në fuqi, Ilir Daja.

Ky i fundit ka lënë drejtimin e Skënderbeut dhe tashmë po riformaton kuqezinjtë e Vlorës. Në këtë kuadër, puna e parë ka qenë rinovimi me ata lojtarë ekzistues të skuadrës, që e “kalojnë klasën”. Të mërkurën, njëri pas tjetrit, kanë rinovuar me bregdetarët e Vlorës lojtarë të tillë si Artim Pollozhani, Emiljano Musta, Muhamed Useini dhe Goran Siljanovski.

Të gjithë e kanë hedhur firmën në kontratë për sezonin e ardhshëm futbollistik, 2018-2019. Ndërkohë, merkatoja vazhdon. Ilir Daja shpreson të marrë pjesë të çmuara te ish-skuadra e tij, Skënderbeu, ndërkohë që ana financiare i është garantuar e pakushtëzuar nga presidenti Sinan Idrizi.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar