Futboll

Flamurtari në gjurmët e Kukësit dhe Partizanit, humbës në Antalya

Njëlloj si Kukësi e Partizani, edhe Flamurtari pati sot fatin e humbësit në miqësoren e parë të zhvilluar në Antalya të Turqisë, ku po zhvillon edhe fazën përgatitore dimërore. Ekipi vlonjat u mund me rezultatin 2-0 nga skuadra kazakistanase, FC Tobol. Flamurtari ka zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë, duke u futur në dhomat e zhveshjes për pushimin e ndeshjes, në pozitat e të barabartit, me rezultatin e bardhë 0-0.

Në pjesën e dytë, me zëvendësimet e realizuara nga trajneri Gentian Mezani, skuadra vlonjate ka humbur ekuilibrat në mesfushë, prej nga erdhën edhe dy golat e pësuar. Duhet theksuar në radhët e Flamurtarit u aktivizua si titullar blerja më e re e vlonjatëve, serbi Ivan Jakovljevic.

Do të jetë pikërisht FC Tobol që edhe skuadra e Tiranës do të zhvillojë miqësoren e saj të dytë të planifikuar për datën 15 janar, të paktën sipas njoftimit të fundit nga kampi bardheblu. Paraprakisht 24 herë kampionët kishin planifikuar që testimi i dytë të realizohej përballë ekipit nga Azerbajxhani, Shamkir FC, por ndonëse pa dhënë arsyet dhe motivet, sot është njoftuar ndryshimi, teksa nesër bardheblutë do të diskutojnë miqësoren e parë, përballë FC Akzhaiyk nga Kazakistani.

Më shumë nga Futboll