Kampionati Shqiptar

Flamurtari nënshkruan me kosovarin Yll Hoxha

Flamurtari lëviz në merkato. Klubi vlonjat siguroi shërbimet e mesfushorit kosovar, Ylli Hoxha, i cili u nda nga Kukësi në përfundim të sezonit të kaluar, pas një eksperience 3-vjeçare me skuadrën verilindore. Lajmin në fjalë e bën të ditur “gazetaolle.com”. Falë tre sezoneve në Kategorinë Superiore me Kukësin, Hoxha është një lojtar që e njeh mirë kampionatin dhe drejtuesit e Flamurtarit kanë përfituar nga situata e tij si futbollist i lirë për ta joshur me ofertën e duhur financiare.

 

Me 29 ndeshje të luajtur në sezonin e shkuar në kampionat për Kukësin, 18 prej tyre të nisura si titullar, prishtinasi shkon tani për të dhënë kontributin e tij për skuadrën e Stanislav Levyt. Hoxha është përforcimi i tretë i Flamurtarit në harkun e pak ditëve, pasi më parë skuadra vlonjate zyrtarizoi akordin me kroatin Cabraja dhe sulmuesin çek Peter Trap, i cili është kërkuar me ngulm nga bashkëatdhetari i tij, trajneri Levy.

Cikalleshi-dhe-Ylli-Hoxha

Yll Hoxha (me bluzën zhveshur) së bashku me Sokol Cikalleshin kur luanin për Kukësin

Mbetet pezull ndërkohë në skuadër situata e Franc Veliut dhe Polizoi Arbrit. Edhe pse të dy futbollistët janë paraqitur në grumbullim për të filluar punën me skuadrën, nga ana e drejtuesve ju është komunikuar se ata vazhdojnë të jenë të pezulluar dhe nuk mund të bashkohen me grupin deri në një vendim të dytë. Pas pak ditësh Flamurtari do të udhëtojë drejt Bursës së Turqisë për fazën përgatitore, ku do të qëndrojë për 3 javë.

[total-poll id=49383]

Më shumë nga Kampionati Shqiptar