Kombëtarja

Flasin debutuesit Prenga dhe Lika: Krenari, të luash për Shqipërinë!

Kombëtarja vijon përgatitjet për miqësoren e 26 marsit me Norvegjinë. Kuqezinjtë e thirrur në këtë grumbullim po stërviten nën drejtimin e trajnerit Panucci, i cili ka preferuar edhe “neës entry” për këtë ndeshje. Dy prej tyre, Herdi Prenga dhe Bujar Lika, për herë të parë pjesë e kombëtares së madhe, kanë dalë në konferencë për shtyp mesditën e sotme. Ndër të tjera, ata kanë nënvizuar:

Prenga – “Do të japim maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv ndaj Norvegjisë. Aktivizimin tim e vendos trajneri, unë do të jap më të mirën në stërvitje. Ndihem shumë krenar dhe i lumtur që jam këtu, me këtë grup, pasi janë lojtarë shumë të mirë. Kjo është një mundësi e mirë për të parë se ku jam në krahasim me to. Nuk është gjë e vogël të jesh pjesë e kombëtares së madhe. Natyrisht, do të pres shansin tim. Jam lojtar mbrojtës dhe në këtë repart, konkurrenca është e madhe. Kemi të bëjmë me lojtarë mjaft cilësorë, që luajnë në kampionate të forta. Personalisht jam në formë të mirë sportive, por do të shoh vlerësimin e Panuccit. Nuk kam folur ende me trajnerin, pasi dje erdha. Këtu kam gjetur jo pak lojtarë të rinj, që kanë luajtur dhe me Shpresat. Kemi potencial dhe cilësi për t’u kualifikuar në Europian. Jam rritur dhe luaj në Kroaci, por zgjodha pa asnjë hezitim Shqipërinë, sepse jam shqiptar”.

 

Lika – “Para një jave kasha një ndeshje me Young Boys. Dy ditë më vonë më mori Panucci në telefon dhe më ftoi në kombëtaren e Shqipërisë, për miqësoren me Norvegjinë. Jam krenar që kam këtë mundësi dhe që më ka bërë ftesë. Më shumë kam luajtur në ligën e dytë të Zvicrës. Më kanë penalizuar shumë edhe dëmtimet, ndaj nuk kam pasur mundësi ta tregoja shumë veten. Shqipërinë e zgjodha vetë, pa pasur asnjë dyshim. Nuk u mendova dy herë. E kam pasur ëndërr të luaj për kombëtaren e Shqipërisë. Tani jam pjesë e kuqezinjve, gjë që më lumturon pa masë jo vetëm mua, por edhe familjen. Këtu më kanë pritur shumë mirë të gjithë. Luaj apo jo ndaj Norvegjisë, kjo nuk ka shumë rëndësi. Kjo ftesë është një shans shumë i mirë për mua që ta tregoj veten në stërvitje. Konkurrenca është shumë e madhe, Panucci nuk më ka premtuar asgjë, por është në dorën time të tregoj sa mund të bëj”.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kombëtarja