Futboll

Flet Dybala, rrëfen bisedën me Mourinhon pas gjestit në Torino dhe… sjelljen e CR7!

Pas një starti të sezonit jo në lartësinë e duhur, Paulo Dybala ka gëlltitur kritikat dhe paraqitjet e tij kanë ardhur në rritje, mes golave dhe rendimentit. Tashmë, argjentinasi është gati të sfidojë Milanin. “Mendoj se vitin e shkuar nisa më fort se  sa këtë sezon”, tregon ai për “Sky”.

“Ky sezon nisi me praninë time në stol, por jam përpjekur të jap maksimumin në stërvitje, të arrijë formën. Në sulm jemi shumë dhe Allegri shpesh gjendet në vështirësi  sepse po bëjmë mirë. Nuk e ka të lehtë të zgjedhë”.

Të dielën, supersfida ndaj Milanit, në “San Siro”: “Mbërrijmë mirë. Do të jetë një ndeshje spektakolare. Eshtë gjithmonë Milan-Juve, shpresojmë te 3 pikët”.

Dybala takohet edhe me mikun e tij Higuain: “Flasim shpesh. Gonzalo është shumë i fortë. Do të jetë pak e çuditshme, sepse në fillim u përballëm me të si kundërshtar, pastaj luajti me ne dhe tani sërish kundër”.

Argjentinasi ndalet edhe te Ronaldo: “Isha kurioz të shihja sjelljen e tij në dhomat e zhveshjes, sepse në fushë e njohim të gjithë. Tregon shumë personalitet dhe shumë qetësi, si për atë që është dhe për atë që përfaqëson. Kam një raport të shkëlqyer dhe është person i mrekullueshëm”.

Në fund, Dybala ka shuar edhe kuriozitetin se çfarë i tha Mourinhos në fund të ndeshjes Juve-Manchester, kur Special One bëri gjestin e dorës të veshi: “I thashë që nuk ishte e nevojshme të bënte atë gjest për të krijuar tensione të kota. Edhe ne lojtarët shpesh ofendohemi nga tifozët, por ato tensione duhen shmangur”. Boca-River, ja mendimi i Dybalasë: “Tension dhe pritje e madhe, jo vetëm në Argjentinë. Ndeshje e veçantë, për fat do ta shoh”. Superclasico luhet të shtunën dhe Juventusi zbret në fushë të dielën.

Më shumë nga Futboll