Connect with us

Kampionati Shqiptar

Formacioni anti-Partizani / Shtubina në mbrojtje, Hebaj në sulm

Sërish ndryshime në formacionin e Vllaznisë. Edhe në takimin e nesërm, ndaj Partizanit, trajneri Cungu do të jetë i detyruar të eksperimentojë

Sërish ndryshime në formacionin e Vllaznisë. Edhe në takimin e nesërm, ndaj Partizanit, trajneri Cungu do të jetë i detyruar të eksperimentojë me disa vendosje të lojtarëve në fushën e lojës. Kjo për shkak të mungesave të detyrueshme të disa futbollistëve, për arsye kartonësh dhe dëmtimesh. Ndaj të kuqve, përveç ndonjë risie që pamë edhe në Kukës, javën e kaluar, do të shohim kapitenin Shtubina të luajë në mbrojtje, apo të riun Hebaj në majë të sulmit. Ajo që të bën përshtypje është se stafi teknik vazhdon të mos i besojë malazezit Cicmil një vend në formacion, ndonëse duket i rikuperuar plotësisht. Megjithatë, ai pritet të jetë në stol, ashtu si edhe bashkëkombasi i tij, portieri Agoviç, që prej disa javësh e ka humbur vendin e titullarit. Kuqeblutë pritet të luajnë nesër me Selimajn në portë e më pas, Gurishta në të djathtë të mbrojtjes, dyshja Bicaj-Pjeshka në qendër të këtij reparti, dhe Shtubina në të majtë.

Në rolin e shkatërruesit në mesfushë do të jetë sërish Gocaj, ndërsa para tij do të jetë Kruja me Tafilin. Ky i fundit u duk se do të ishte i pamundur të luante për shkak dëmtimi, por stafi mjekësor ia ka dalë ta rikuperojë në kohë. Sakaq, në rolin e mesfushorëve të krahëve do të luajnë Çinari dhe Kalaja, ndërsa në majë të sulmit do të jetë i vetëm Hebaj. Për këtë të fundit, trajneri Cungu ka thënë: “Hebajt nuk është shansi i parë që i jepet. Ai deri më tani ka mbi 16 aktivizime dhe për një 18-vjeçar nuk është pak. Eshtë një futbollist me cilësi shumë të mira, por duhet ta dini se është i ri dhe do kohën e vet që të përshtatet e të forcohet, që të mbajë peshën e ekipit. Fakti që, me shumë gjasa, do të jetë nesër në fushë, tregon se unë besoj tek ai djalë dhe uroj e shpresoj që t’ia shpërblej ekipit në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar