Connect with us

Bundesliga

FOTO: Ancelotti po rikthen sistemin e Milanit te Bayern?

FOTO: Ancelotti po rikthen sistemin e Milanit te Bayern?

E mbani mend Milanin e trajnerit Carlo Ancelotti? Do të ishte e habitshme të përgjigjeni me “jo”, sepse ajo skuadër fitoi dy herë Ligën e Kampionëve në vitet 2003 dhe 2007. E veçanta e 11-shit të Don Carlo-s ishte sistemi 4-3-2-1 në formën e pemës së Krishtlindjeve, me asnjë lojtar tipik krahu në ofensivë.

“Sport1”, duke parë transferimet që Bayern po bën këtë verë, parashikon që italiani po planifikon të bëjë të njëjtën gjë te Bayern. Kur mori drejtimin e bavarezëve vjet, 58-vjeçari theksoi se nuk do të bënte revolucion, duke mos dashur të ndryshojë atë që kishte ndërtuar Pep Guardiola, por duket se tashmë ka ardhur koha për ta bërë.

James Rodriguez ka ndryshuar gjithçka në Mynih. Transferimi i tij mund të sjellë risi të mëdha. “Ai është një mesfushor ofensiv fantastik. Do t’i gjejmë vendin më të mirë në fushë, aty ku ai ndihet më rehat”, – u shpreh trajneri në ditën e prezantimit të kolumbianit. Ky i fundit theksoi se për të nuk ka rëndësi pozicioni, mjafton të ndihmojë skuadrën.

Po për çfarë po flasim? Kur Milani i mjeshtrit Ancelotti pushtoi Evropën, mesfusha përbëhej nga lojtarë si Andrea Pirlo, Rui Costa, Gennaro Gattuso, Clarence Seedorf, Massimo Ambrosini dhe Kaka. Asnjëri nuk luante në krah, por kishte dinamikë. Asokohe, gjithçka ishte e bazuar te sofistikimi i teknikës, kontrolli i lojës dhe, mbi të gjitha, aksionet e përqendruara në mesin e fushës. Gatusso “fshinte” gjithçka para mbrojtjes, Costa dhe Seedorf ishin “kafshët” e mesfushës, ndërsa Kaka trekuartisti me fantazi.

Formacioni i Bayern-it (me lojtarët aktualë), në një version si ai i Milanit të madh. Ndryshe nga “Sport1”, në mesfushë “Telesport” parashikon spanjollin Thiago para mbrojtjes dhe jo kilianin Vidal

Sot, Bayern ka thuajse të njëjtat kushte. James Rodriguez, Corentin Tolisso dhe Sebastian Rudy janë tre mesfushorët e afruar, ndërsa në skuadër janë edhe Thiago Alcantara, Renato Sanches, Arturo Vidal dhe Javier Martinez. Secili mund të marrë rolet e ish-lojtarëve të “Djallit” para 10 vitesh.

Franck Ribery dhe Arjen Robben padiskutim që do të jenë humbësit e këtij sistemi, sepse me 4-3-2-1 ata nuk kanë vend. Duke luajtur kështu, Bayern bëhet më agresiv, përdor kundërsulmet, e mban më pak topin, është i paparashikueshëm, shton dinamikën dhe e detyron kundërshtarin të dalë nga loja e vet tradicionale.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se “Robbery” do të zhduket. Pema e Krishtlindjeve mund të jetë edhe një nga variantet e lojës.

 

Më shumë nga Bundesliga