Kombëtarja

Foto Strakosha analizon të birin, Thoma: Eshtë portier më i mirë se unë

Foto Strakosha është një legjendë e portës shqiptare, veçanërisht e asaj kuqezi. Por, duket se këtë rol në kombëtaren shqiptare e ka “marrë me tapi”. Kjo për shkak se i biri, Thoma Strakosha, është e ardhmja e kuadratit kuqezi. Prej një viti, bashkë me familjen, Foto është zhvendosur në Romë, pranë djalit të madh, i cili është bërë tashmë “gardiani” i padiskutueshëm i Lazios. RTSH, përmes moderators Hygerta Sako, ka qenë në kryeqytetin Italian, ku ka folur me Igli Taren, Thoma Strakoshën dhe babain e këtij të fundit, Foto Strakosha. Ish-portieri i kombëtares sonë ka rrëfyer emocionet dhe pengjet që ka mbi karrierën e deritanishme të të birit.

Si ndiheni për Thomasin?
Në radhë të parë, po flas si prind. Përkufizimi më i saktë është se çdo prind ndihet krenar, pastaj kënaqësia është e madhe, sepse ushtron profesionin tim. E bën mirë, por duhet akoma edhe më mirë. Jam bindur që kur ishte i vogël se e ka këtë punë me passion. Kam vërtet kënaqësi që e bën portierin me dashuri.

E kishit menduar se do të shkonte kaq lart në një moshë relativisht të re?
Kur ishte i vogël, isha i kundërt me dëshirën e tij, nuk doja të bëhej portier. Mirëpo, kur mbushi 15 vjeç, ishim në Qipro, aty më dha shenjat e para, ku tregonte se sa i gatshëm ishte për të sakrifikuar në pozicionin e portierit. Në atë moshë kam parë edhe të dhënat, që përveç karakterit, ishin edhe për të bërë portierin. Më vonë ëndërrova dhe besoja se mund të ecte.

Sa ndërhyn Foto te zgjedhjet e tij?
Ai duhet të vendosë vetë. Që 16 vjeç, kur kishim oferta edhe nga Lazio, edhe nga Roma, kam ndikuar si prind që të zgjidhte Lazion, meqë aty ishte edhe Igli. Mendoja, kam një njeri për fëmijën tim aty. Por, të fundit kam pyetur Tomin, ku donte të shkonte. Ishte dëshira e tij. Dua të jemi të dy të ndërgjegjshëm për zgjedhjet që do të bëjmë. Unë do t’i jap këshilla, por në fund vendos ai.

Momenti që keni gëzuar më shumë për Tomin?
Jeta e një futbollisti është e mbushur me trishtime dhe gëzime. Të vetmen gjë që kam dashur ta transmetoj të transmetoj tek ai është që gëzimi dhe trishtimi të jenë në masë të duhur. Vetëkënaqësia te gëzimi është po i njëjti armik si trishtimi i tepruar, kur diçka nuk shkon mirë. Kur Juventusi luante me Lazion, ku Lazio fitoi 1-2, një moment në pjesën e parë i kthyen topin prapa Tomit dhe Higuain i bëri presion. Topi u përplas te këmba e Higuain dhe më pas shkoi në tranversë. Aty më kanë ikur 10 vjet jetë. Po në të njëjtën ndeshje, në minutën e 96-të, ai priti penalltinë e Dybala. Por jo vetëm për këtë, sepse një portier do t’i ketë edhe këto raste, do të presë edhe penallti, por Lazio mori një fitore të çmuar, pas 15 vjetësh në atë stadium.

Çfarë ka më të mirë se ju Tomi dhe çfarë i mungon?
Ka shumë gjëra më mirë se unë, sepse edhe vetë kam pasur shumë vështirësi. Edhe dorezat i kishim si të minatorëve. Nga ana teknike ka shumë gjëra më të mira. Çfarë do të doja unë që të përmirësonte? Njëra është në aspektin teknik, e cila vjen me përvojën, por edhe me besimin në vetvete. E kam fjalën për daljen nga porta, apo në krosime. Te personaliteti kam edhe pak debat me të. Unë kam qenë më emocional, ndërsa Tomi është i ftohtë. Armë shumë pozitive për portierin. E pranoj, se është më i mirë se unë.

Si ndihesh për Taren këtu te Lazio?
Kjo është e ndarë në 2 aspekte, të gjithë janë dakord me arritjet e tij këtu. I ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Marrëdhënia jonë është e ndarë në 2 etapa. Tomi ka qenë rreth 5 vite vetëm këtu dhe unë e mendoja mire, para se ta merrja në telefon, sepse vija veten time në pozicionin e tij. Edhe pse bëhet fjalë për fëmijën tim, kam qenë edhe unë trajner, e di sa e vështirë është të qenurit pjesë e stafit. Shumë njerëz thonë se Igli do ta ndihmojë. Tomi bëhej krenar dhe thoshte se arrita të kënaq prindërit e mi. Ishte një plus që kishte Iglin te Lazio, por është edhe një përgjegjësi më tepër, sepse të tjerët edhe mund ta gjykonin se e ka sjellë drejtori.

Më shumë nga Kombëtarja