• Fotoja që nxin arbitrin Ziri; Partizani denoncon padrejtësitë

    Publikuar: 16 May 10:11

    Partizanit nuk i del e keqja, gjen armiq gjithandej. Trajneri Starova e zgjeroi këtë “rreth” deri te Armand Duka, presidenti i FSHF-së, që për inat të Erion Braçes, po sulmon skuadrën e kuqe. Po ashtu, në faqen zyrtare të klubit 15 herë kampion të vendit, në kërkim të titullit prej 24 vitesh, por i mbetur pa gjë edhe këtë edicion, është hedhur një foto e Ekuban, në momentin kur ndërpritet në mënyrë të parregullt nga mbrojtësit vlonjatë, në zonën e rreptësisë së këtyre të fundit, por çuditërisht, kryesori Blerim Ziri, nuk akordon penallti. Kjo i ka tërbuar pa fund të kuqtë, që mendojnë se arbitrat marrin urdhëra nga lart për ta ndëshkuar Partizanin me vendimet e tyre. Mbi foton, që flet sa mijëra fjalë, është vendosur edhe një diçiturë, e cila mundohet ta kalojë mërzinë e madhe me një qasje humori therës: “Ku shkon Ekubano? Titulli nuk është i Juaji”!

    Pra, domethënia është e qartë: Partizani duhej ndalur me çdo kusht e mjet në rrugën drejt titullit, gjë për të cilën trajneri Starova tha pas ndeshjes: “Në Vlorë ishte akti i fundit i dramës, që pësuam që me fillimin e kampionatit, disi nën rrogoz, nga vendimet arbitrare kundër nesh. Më pas nga organizatori i garës, i cili doli hapur kundër nesh. Edhe sot ishte rasti i penalltisë, që nuk u dha. Faktori i jashtëm na dëmtoi shumë, si asnjëherë tjetër, sa kam unë trajner. Ne kemi bërë një kampionat fantastik dhe ndjehemi të vjedhur. Pashë edhe një shfaqje tjetër në drekë, të faktorit të jashtëm gjyqtar, e kam parë gjithë vitin. Po e përsërit edhe një herë. Vetëm 6 pikët e fituara me Tiranën, trepikëshi i Skënderbeut në Shkodër, pa shtuar asnjë gjë tjetër, ne na bën që të jemi krenarë. Partizanit filluan t’ia heqin kampionatin që në Shkodër.

    Një gjyqtar që nuk jep dy penallti të evidentuara, apo që nuk dha faull brenda zonës dhe që merr një premio, javën tjetër shkon dhe arbitron një ndeshje elitë. Në të njëjtën kohë, gjyqtari Jemini, pasi gjykoi dobët në derbi, gjykoi dobët në Elbasan me Kukësin, që u anulua penalltia, jep një penallti me Luftëtarin, që e kemi pranuar të gjithë se ishte, u zhduk nga faqja e dheut. Unë nuk bëj hipokritin, unë çfarë them i them të gjitha siç janë. Ka qenë si asnjëherë tjetër, edhe me urdhër. Sepse urdhri del edhe në nxemje e sipër. Pas letrës që u dërgua në UEFA, Armandos i iku truri dhe ia vuri fajin Braçes, Erion Braçes. Erion Braçe tha që unë s’e kam bërë këtë letër, se gjithmonë kam folur me emër dhe mbiemër. Dhe u dha ai urdhër, si asnjëherë tjetër, që të sulmohej Partizani. E kemi vuajtur në kurriz të gjithë.”


    Lexo postimet e tjera