Connect with us

Atletikë

Frakturë në këmbë, Izmir Smajlaj humbet Botërorin e atletikës

Në Kampionatin Botëror të Atletikës që zhvillohet pas dy javësh në Londër vendi ynë do të përfaqësohet vetëm me atleten Luiza Gega, pasi shkodrani Izmir Smajlaj ka ngritur “flamurin e bardhë”. Një dëmtim në këmbë ka detyruar shkodranin të tërhiqet nga gara, lajm që është konfirmuar nga vetë atleti, që ka kryer edhe një vizitë më të detajuar mjekësore në Itali. “Mund të konfirmoj mospjesëmarrjen në Kampionatin Botëror për shkak të dëmtimit në këmbë. Kam pësuar dy fraktura dhe gjithçka ndodhi gjatë një seance stërvitore në Shkodër”, tha Izmir Smajlaj për mediat.

Shkodrani Izmir Smajlaj me medaljen e arte te Europianit

Atleti ka qenë së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, në Itali për një kontroll, por rezulatti ka qenë dëshpërues. “Përgjigjja ka qenë në disfavorin tim. Tashmë duhet të bëj pushim dhe se koha është e pamjaftueshme që të jem i gatshëm për Botërorin, pasi na ndajnë vetëm pak ditë”, tha Smajlaj, kampion i Europës në sallat e mbyllura në kërcim së gjati, ku pak muaj më parë mori medaljen e artë në Beograd të Serbisë, ku dha rezultatin 8.08 metra, rekord kombëtar. “Unë do të vazhdoj përgatitjet për eventet e ardhshme, madje mund të zhvilloj edhe një fazë përgatitore 5-mujore në Kubë”, tha Smajlaj.

Më shumë nga Atletikë