Nations League

Francë-Gjermani, shansi i fundit për “Die Mannschaft”

Java e katërt e Nations League do të mbyllet me super sfidën që do të zhvillohet mbrëmjen e së martës në “Stade France” mes Francës dhe Gjermanisë. Një fitore do t’i siguronte një vend në gjysmëfinalen e kompeticionit kampionëve të botës në fuqi, ndërsa Gjermania duhet të shmangë humbjen nëse do të mbajë gjallë shpresat e kualifikimit në fazën pasardhëse.

Pas një barazimi pa gola të regjistruar në ndeshjen e parë mes këtyre dy përfaqësueseve, Franca ka mundur 2-1 Holandën muajin e kaluar. Në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë edhe miqësoret, lojtarët e Didier Deschamps kanë humbur vetëm një nga 22 takimet e fundit (15 fitore, 6 barazime, 1 humbje).

Megjithatë, francezët kanë shkuar shumë afër humbjes së tyre të parë si kampionë të botës javën e kaluar, kur e shikuna veten në disavantazh 2-0 kundër Islandës para se të realizonin dy gola në katër minutat e fundit. Gjermanët, nga ana tjetër, janë në kërkim të fitores së parë në Nations League (1 barazim, 1 humbje) dhe do të paraqiten në këtë takim pas humbjes turpëruese 3-0 të pësuar në kundër Holandës, disfata e tyre më e thellë që nga tetori i 2007-ës.

Ndërkohë, herën e fundit që Gjermania ka pësuar dy humbje radhazi në një turne ka qenë në Euro 2000. Në 30 përballjet e mëparshme, Franca ka një ecuri pozitive ndaj gjermanëve: 13 fitore, 8 barazime, 9 humbje dhe një diferencë golash 47-45.

Protagonistët e mundshëm
Sulmuesi i Gjermanisë, Timo Werner, ka shënuar katër gola në Bundesliga për Leipzig në këtë sezon, ndërsa Kylian Mbappe realizoi golin e barazimit që shpëtoi Francën nga një humbje e turpshme ndaj Islandës.

Statistika
– Franca është e pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit zyrtare që ka luajtur në shtëpi: 7 fitore, 1 barazim.

– Në pesë ndeshjet e tyre të fundit zyrtare, gjermanët kanë shënuar dy gola nga 102 gjuajtje të bëra në total drejt portës.

– Në tetë nga dhjetë ndeshjet e fundit të luajtura kundër Francës, Gjermania ka pësuar golin e parë dhe ka patur një ecuri zhgënjyese me 2 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje.

Më shumë nga Nations League