• Frikë nga kartonët, Cungu lë pushim tre titullarë

    Publikuar: 19 May 10:51

    Plot tetë futbollistë të Vllaznisë janë të ndëshkuar me nga dy kartonë të verdhë në prag të ndeshjes me Teutën (është edhe Tafili me tre, që nuk do të luajë), ndaj kjo gjë e ka detyruar trajnerin Cungu të mendojë për të lënë pushim ndonjërin prej tyre, në transfertën e “Niko Dovana”. Të paktën nga ajo që ka aplikuar këto ditë në stërvitje, numri 1 i pankinës kuqeblu ka ndërmend të mos aktivizojë ndaj durrsakëve dy mbrojtësit Vrapi e Gocaj, si dhe mesfushorin Bardulla. Kjo gjë do të sjellë edhe disa ndryshime në formacionin e kësaj skuadre për këtë ndeshje.

    Në portë do të jetë Selimaj. Gurishta do të vazhdojë të luajë në të djathtë, por në qendër, përkrah Bicajt, këtë herë nuk do jetë Vrapi, por Pjeshka. Ky i fundit është spostuar në qendër, duke i lënë krahun e majtë kapitenit Shtubina. Në qendër të mesfushës, në kushtet kur mungojnë Tafili e Bardulla, do të luajnë Kruja e Hajdari. Së bashku me Krymin, ata do të formojnë treshen e qendrës. Në krahë: Çinari në të majtë dhe Kalaja në të djathtë, në mbështetje të Bakajt, që do të luajë në majë të sulmit. Vllaznia pritet që me këtë 11-she të përballojë Teutën, por edhe të mendojë për sfidën me Tiranën, që mund të jetë vendimtare.


    Lexo postimet e tjera