Çiklizëm

Froome: Ky ishte një vit fantastik, ëndërroj “tripletën”

Turi i Francës dhe Vuelta e Spanjës, dy nga tri turnetë e mëdhenj të fituara nga çiklisti britanik Chris Froome, që këtë vit ka treguar se është një “kanibal” i rrugëve. Britaniku i SKY fitoi ditën e diel turneun iberik të biçikletës, dy muaj pasi pat triumfuar edhe në Tur, duke u bërë çiklisti i parë i “mbretërisë së bashkuar” që ia del mbanë. “Ky është një rezultat fantastik për mua, pasi arrita diçka të vështirë, që prej vitesh nuk realizohej nga askush. Nuk ka qenë e lehtë, pasi janë dy turne të vështirë, por kam punuar fort”, tha Froome, që pasi ka bërë “poker” fitoresh në Turin e Francës, arriti të triumfojë për herë të parë edhe në Vuelta.

Çiklisti britanik Chris Froome me fanellen e liderit ne Tur dhe Vuelta

Froome nuk ka arritur kurrë të fitojë Xhiron e Italisë, të cilin duket se e ka vënë në shënjestër vitin tjetër. Turneu italian i biçikletës nis sezonin e veprimtarive të mëdha në këtë sport e ndoshta ky mund të jetë një mundësi e mirë për Froome për t’ia dalë mbanë edhe aty. “Nuk e di, për momentin po shijoj këtë sukses, por nuk e mohoj që e kam ëndërruar disa herë këtë “tripletë”. Janë tri turne të gjatë, të vështirë dhe që kërkojnë shumë mund e sforco, por edhe një ekip të mirë që të mbështet. Problem është koha e pamjaftueshme për të rikuperuar nga njëri turne në tjetrin, por nuk ka asgjë të pamundur në këtë drejtim”, tha Froome për mediat britanike.

Më shumë nga Çiklizëm