Çiklizëm

Froome përmbys Xhiron, fiton etapën e 19-të dhe merr kryesimin

Etapa e 19-të e Xhiros së Italisë, Venaria-Cervinia, 185km e gjatë, ka përmbysur këtë event, pikërisht atëherë kur nuk pritej. Çiklisti britanik Chris Froome, 4 fitues i Turit të Francës dhe një herë në Vueltën e Spanjës, ka shpërthyer në një prej etapave më të vështira të këtij edicionit të 101-të të Xhiros, duke e fituar atë dhe marrë kryesimin e turneut. Në maloret e vështira të Apenineve, Froome ka bërë diferencën, duke garuar në vetmi për gati 80km dhe ka mbërritur i pari dhe i vetëm në finish pas 5h12’26”. I dyti u rendit çiklisti ekuadorian Richard Carapaz, që mbërriti 3 minuta pas fituesit, ndërsa në vendin e tretë u klasifikua francezi Thibaut Pinot, me +3’07” nga fituesi.

Falë triumfit të sotëm dhe paraqitjes së dobët të një tjetër britaniku, Simon Yates, që deri sot në mëngjes kryesonte këtë turne, Froome ka marrë kryesimin e renditjes së përgjithshme (80h21’59”), duke veshur edhe fanellën rozë të liderit. Britaniku është pranë triumfit të parë në karrierën e tij edhe në Xhiron e Italisë, pasi ka 40 sekonda avantazh karshi vendit të dytë, holandezit Tom Dumoluin (kampioni i vjetshëm), ndërsa në vendin e tretë ndodhit Pinit, me 4’17” më shumë.

Çiklisti shqiptar Eugert Zhupa, që merr pjesë për të katërtin vit me radhë në Xhiron e Italisë, sot u klasifikua në vendin e 116-të, duke mbërritur në finish 43’45” nga fituesi. në renditjen e përgjithshme të turneut, çiklisti kuqezi që garon me skuadrën Wilier Triestina-Selle Italia, qëndron në vendin e parafundit, atë të 150-të, gati 5 orë larg britanikut Froome. Këtij të fundit i mjafton menaxhimi i avantazhit në dy etapat e mbetura për t’u kurorëzuar fitues.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Çiklizëm