Connect with us

FSHF

FSHF zbardh vendimin e Etikës, 3 javë pas dënimit të Skënderbeut

Fiks tre javë pas vendimit të marrë nga Komisioni i Etikës, ndaj klubit të futbollit, Skënderbeu, Federata Shqiptare e Futbollit ka zbardhur sot publikisht arsyetimin dhe argumentimin e bërë nga komisicioni. Në një përpjekje për të sqaruar kushtet mbi të cilat u mor vendimi për heqjen e titullit kampion të ekipit korçar për edicionin 2015-2016, si dhe heqjen e 12 pikëve për sezonin 2016-2017, FSHF është kujdesur që në 18 faqet e arsyetimit të vendimit, të theksojë që gjithçka është nisur nga vendimi i UEFA-s për të përjashtuar Skënderbeun nga pjesëmarrja në UEFA Champions League të edicionit të kaluar, për shkak të raportit të BFDS, i cili që nga viti 2010, kishte identifikuar me shume se 50 ndeshje të Klubit si të dyshimta nga pikëpamja e integritetit në garat evropianë dhe kampionatin vendas.

Gjatë argumentimit të analizës që do të çonte më pas në vendimin e Komisionit të Etikës, FSHF sqaron se:

“Gjykata e Arbitrazhit Sportiv CAS ka arritur në konkluzionin se raportet e UEFA BFDS janë të besueshme dhe në vetvete mjaftojnë për ta quajtur një klub apo lojtar si të përfshirë në aktivitete trukimesh me qëllime përfitimi”.

FSHF ka bërë me dije në materialin e hartuar edhe metodologjinë mbi të cilin hartohen harportet e BFDS.

“Roli i BFDS është të nënvizojë lëvizjet e parregullta në tregjet e basteve para ndeshjes dhe ne bastet live. Tregjet kryesore të basteve janë Handikapi Aziatik, Total (numër golash te shënuar) dhe 1×2 (fitore ne shtëpi, barazim dhe fitore jashtë). Ky monitorim përdor algoritme të sofistikuara dhe modele matematikore për të krahasuar koeficientet e përllogaritur me ato të bookmakers-ave me qellim përcaktimin nëse koeficientet në një moment specifik të ndeshjes janë të rregullt ose jo. Nëse një ndeshje paraqet një luhatje jo të rregullt të koeficienteve të basteve, atëherë sistemi gjeneron një raport me informacionin e saktë të monitoruar e që përfshin gjendjen e ekipeve në fushë, të dhënat e lojtarëve, aksionin në garë si dhe faktorë subjektiv si motivimi”, citon materiali që paraprin vendimin e Komisionit të Disiplinës.

Paradoksal jo pak është shfaqur Komisioni i Etikës, që njëlloj si FSHF, sa herë që i intereson është pjesë integrale e strukturave të UEFA-s duke zbatuar me rigorozitet rregulloret dhe postulatet e saj, por kur kjo gjë nuk shkon për shtat, është i gatshëm të dalë edhe kundër Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv CAS. Vetëm në pak paragrafë më lart, në materialin e përgatitur nga vetë Komisioni i Etikës, cilësohet se CAS konkludon se raportet e UEFA BFDS janë të besueshme dhe në vetvete mjaftojnë për ta quajtur një klub apo lojtar si të përfshirë në aktivitete trukimesh me qëllime përfitimi, ndërkohë, më poshtë, FSHF nga 50 ndeshjet e raportuara, bazon gjykimin e saj mbi vetëm 6 takime.

“Në rastin konkret, trupa gjykuese ka analizuar përmbajtjen e raporteve BFDS që përfshijnë Skënderbeun dhe që lidhen me kompeticionet e organizuara nga FSHF duke arritur në përfundimin se duhen përjashtuar nga gjykimi ato raporte konkluzionet e të cilave nuk mbështeten nga prova shtesë të natyrës sportive por përqendrohen vetëm tek aspekti i basteve. Po ashtu Komisioni i Etikës gjykon se duhen përjashtuar nga ky proces, raportet të cilat konkludojnë se bastet e luajtura me qellim manipulimin e rezultatit sportiv, nuk janë materializuar. Duke përjashtuar raportet e mësipërme, Komisioni Vlerëson si të mbështetur raportet mbi ndeshjet e mëposhtme:

  1. KF Elbasani vs. Skënderbeu 1:4 (25.01.2015) “Kategoria Superiore”
  2. Skënderbeu vs. KS Flamurtari 3:1 (18.02.2015) “Kupa e Shqipërisë”
  3. Skënderbeu vs. KF Tirana 2:1 (21.09.2015) “Kategoria Superiore”
  4. Skënderbeu vs. Tërbuni Pukë 4:0 (22.11.2015) “Kategoria Superiore”
  5. Skënderbeu vs. Vllaznia 2:1 (17.02.2016) “Kupa e Shqipërisë”
  6. Skënderbeu vs. KF Laçi 2:1 (20.04.2016)

Më shumë nga FSHF