Volejboll

FSHV: Kupa e Flamurit, starti i një maratone aktivitetesh për kombëtaret

Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) ka zhvilluar sot në mesditë një konferencë shtypi, ku ka prezantuar eventin e Kupës së Flamurit, që do të zhvillohet më 28 Nëntor në Tiranë, me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë. Ky aktivitet përfshin dy ndeshje miqësore që ekipet kombëtare të volejbollit për meshkuj e femra do të zhvillojnë ndaj Kosovës në sallën sportive “Feti Borova”, pranë Tirana Olimpik Park. Një event që pritet me interes, pasi janë dy ndeshje që jo vetëm i shërbejnë një ditë të shënuar për kombin shqiptar, por edhe nisin një fazë të gjatë përgatitjesh për eventet më të rëndësishme ndërkombëtare ku volejbolli shqiptar do të marrë pjesë vitin tjetër. “Kupa e Flamurit” është e rëndësishme për ne si Federatë. Dua t’i falënderoj trajnerët dhe lojtarët e grumbulluar, që po tregojnë seriozitet në punë, duke synuar rritjen e tyre profesionale dhe menduar për të ardhmen”, u shpreh presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi.

Drejtuesit e FSHV-se ne stervitjen e kombetares se vajzave

Numri 1 i volejbollit shqiptar vuri theksin më tej të evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare ku volejbolli kuqezi do të përfaqësohet gjatë 2018-ës. “Lojërat Mesdhetare në Spanjë, eliminatoret e Europianit për të rritur dhe të rritura si dhe finalet e Europianit për vajza që zhvillohet në Tiranë janë disa nga eventet më të mëdha të volejbollit shqiptar për vitin 2018, ku ne synojmë të bëjmë një paraqitje të mirë. Pse jo, me të rriturit dhe të rriturat të synojmë edhe kualifikimin në një Europian, pasi ka ardhur koha që ta bëjmë këtë hap të madh. Për ta realizuar këtë gjë do të bëjmë disa zbore dhe miqësore gjatë kësaj periudhe me ekipet kombëtare, për të qenë gati kur të nisë puna për Europianin, pasi duam që vitin tjetër të hedhim një tjetër hap përpara drejt zhvillimit të volejbollit”, tha Pëllumbi për mediat.

Nga stervitja e kombetares se vajzave

Nga stervitja e kombetares se djemve

Më shumë nga Volejboll