Volejboll

FSHV prezanton risitë e sezonit të ri: Play off me 6 skuadra, statistika dhe… Europiani

Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit, presidenti Erlind Pëllumbi, sekretari Albens Vokopola dhe kryetari i komisionit tekniko-gjykues, Konalsi Gjoka, kanë dalë para mediave, duke zhvilluar një konferencë për shtyp në lidhje me zhvillimet më të fundit në sportin e volejbollit në Shqipëri. Konferenca për shtyp e drejtuesve të FSHV-së është ndarë në dy pjesë, duke analizuar atë çfarë ka ndodhur gjatë muajve të fundit dhe duke shpalosur planet e risitë për të ardhmen. “Kemi bërë shumë hapa përpara, kemi marrë pjesë në arenën ndërkombëtare pothuajse me të gjitha ekipet dhe kemi arritur rezultate të mira. Edhe vlerësimet që kemi marrë kanë qenë mjaft pozitive dhe të gjitha këto na kanë motivuar edhe më shumë për të ardhmen”, deklaroi presidenti i volejbollit shqiptar, Erlind Pëllumbi.

Kombetarja U-20 per djem, medalje argjendi ne Ballkaniade

Drejtuesit e FSHV-së shprehen se synojnë që kombëtaret e volejbollit, pas dy vitesh në Ligën e Europës, të bëjnë një hap më tej, duke u rikthyer në eliminatoret e Europianit. “Kjo do të ishte një hap i madh dhe i rëndësishëm për ne, por për këtë gjë do të vendosë Komiteti Ekzekutiv. Ne nuk e dimë nëse mund t’i përballojmë të dyja këto evente, Europian dhe Ligë e Europës, pasi kjo gjë do të varet edhe nga buxheti, ndërkohë që do të marrim pjesë edhe në Lojërat Mesdhetare”, tha sekretari Vokopola. Vitin tjetër, Shqipëria ka fituar të drejtën e organizimit të finaleve të Europianit U-19 për vajza, një event i rëndësishëm i Federatës Europiane, e cila ia ka besuar këtë detyrë FSHV-së. “Për ne ky është një event i rëndësishëm dhe fakti që CEV na e ka besuar tregon për besimin që ky institucion ka karshi nesh. Ne duam të përgatitemi mirë për këtë event, të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe për këtë kërkojmë mbështetjen e të gjithëve, ashtu siç kemi punuar deri më tani”, tha Pëllumbi.

Drejtuesit e FSHV-se ne Asamblene e CEV-it

FSHV ka sqaruar edhe nismat e reja, siç është faza e play off-it, që sezonin e ri do të jetë ndryshe. “Kemi vendosur që gjashtë të parat të jenë në play off. Që do të thotë i pari dhe i dyti janë direkt gjysmëfinalistë, kurse i treti, i katërti, i pestë dhe i gjashti luajnë mes tyre për të përcaktuar dy gjysmëfinalistët e tjerë. Te femrat kemi shtuar dhe play out-it, ku vendi i shtatë i A1-shit luan me vendin e dytë të A2-shit, ndërsa skuadra e renditur e teta në A1-sh bie direkt në A2-sh dhe anasjelltas. Kështu shpresojmë që të ketë rivalitet deri në fund”, tha Vokopola, duke sqaruar formulën e kampionatit. Konfirmohet aplikimi në të dyja kategoritë, meshkuj e femra, i projektit për të mbajtur statistikat e lojtarëve përmes “Data Volley”. “Vendosëm për aplikimin e protokollit elektronik për meshkuj dhe femra, pasi e pamë se ai ishte i domosdoshëm. Ne e testuam në finalet e play off-it të sezonit të kaluar dhe rezultoi i suksesshëm”, u shpreh sekretari Vokopola.

Nga finalet e play off-it te sezonit te kaluar

Kryetari i komisionit tekniko-gjykues pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit, Konalsi Gjoka, njëkohësisht dhe arbitër ndërkombëtar, ka folur për masivizimin e sportit të rrjetës, kun ë qendër të vëmendjes mbetet Liga Amatore. “Ky event njohur një rritje, teksa vjet morën pjesë 16 ekipe, që luajtën në dy faza. Por mbi të gjitha jemi duke punuar për “Sporti në Shkolla”. Ka dhe një projekt të Federatës Europiane të Volejbollit, teksa së shpejti do të nisim dhe trajnimin e mësuesve të edukimit fizik. Jo vetëm kaq, por në Rrëshen, Peshkopi, Korçë e Tiranë do të kemi shkolla pilot për zhvillimin e volejbollit. Sepse vetëm kështu rritet cilësia”, tha Konalsi Gjoka.

Më shumë nga Volejboll