Futboll

Futboll total, Holanda e talenteve ndal yjet e Belgjikës

Bashkë me sfidën Brazil-Argjentinë, edhe derbi i vendeve të ulëta mes Belgjikës dhe Holandës ishte padyshim një miqësore luksi për të mos u humbur, e përfunduar në barazim 1-1, mes lojës së bukur, rasteve për gol dhe garës fizike në limitet e të lejuarës. Që të dyja përfaqësueset vinin në këtë miqësore pas fitoreve respektive, Belgjika ndaj Zvicrës me rezultatin 2-1, ndërsa Holanda ndaj Gjermanisë, në atë sukses gati historik për “Tulipanët” 3-0. Pas dyndeshjeve të diskutuara në grupet e tyre, në Ligën A të Ligës së Kombeve, Belgjika renditet në vendin e dytë të grupit 2, në kuotën e 6 pikëve, po aq sa Zvicra e vendit të parë që ka luajtur tre takime. Edhe Holanda ë grupin 1 renditet në vendin e dytë, por me vetëm 3 pikë, 4 më pak se Franca e vendit të parë, por me epërsinë e 2 pikëve ndaj Gjermanisë.

Nuk ka vonuar aspak që pritshmëritë dhe bukuria e kësaj sfide të materializohej. Pikërisht në minutën e 5’ Mertens ka kaluar Belgjikën në avantazh, 1-0, me një gol fantastik, me realizimin e një volej, me topin që përfundon në trekëndëshin e djathtë, duke mos i dhënë asnjë shans portierit të Tulipanëve. Një gol që u duk se çoi në harresë atë ringjallje të Holandës në triumfin ndaj Gjermanisë vetëm tre ditë më parë. Gjithsesi ishte vetëm një iluzion, pasi Holanda ka bërë më shumë se një reagim të menjëhershëm.

Mbase jo me një futboll total, nga ai i diktuar dekada më parë nga legjenda Cruijff, por me siguri absolute, me lojën më të mirë të Holandës së viteve të fundit, portokallinjtë kanë barazuar shifrat në minutën e 27’. Një kundërsulm i shpejtë përfundon me Memphis Depay që servir një krosim perfekt për Danjuma Groeneveld, që me të njëjtin perfeksion dërgon topin në rrjetë për të rikthyer ekuilibrat. Rezultat që nuk dukej se kënaqte asnjërën prej skuadrave, të cilat kanë vijuar tentativat për të triumfuar, duke iu afruar jo pak herë golit. Holanda i shkoi më afër golit të fitores me Quincy Promes që ka goditur shtyllën. Po ashtu edhe Belgjika me Hazard e Batshuayi, por pa sukses, duke bërë që sfida miqësore të mbyllet miqësisht në barazim 1-1.

Më shumë nga Futboll