• Futbolli i femrave, udhëheq Vllaznia, Kinostudio e Tirana AS

    Publikuar: 15 Nov 3:53

    Kampionati kombëtar i futbollit të femrave dje ka zhvilluar ndeshjet e javës së dytë të tij. Javë në të cilën janë luajtur tri ndeshje në Shkodër. Vllaznia kampione në fuqi ka pritur në “Reshit Rusi”, Teutën e Durrësit, të cilën e ka mundur me rezultatin e thellë 15-0. Ndeshja nuk ka patur shumë histori, sepse që në pjesën e parë janë shënuar 12 gola. Ato kanë për autore Mujën dhe Gjergjin, nga 3 gola secila, e pastaj Doçin, Franjen e Gjinin nga 2 gola. Në pjesën e dytë ndërkohë janë shënuar edhe tre gola të tjerë, që kanë për autore Gruden, Bajrakurtajn dhe Lazrin. Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 6 pikëve, duke qenë në krye të renditjes.

    vllaznia femra
    Ekipi i futbollit të femrave të Vllaznisë

    Ndërkohë, po në Shkodër, është luajtur edhe derbi mes ekipit të Juban Danjes dhe atij të The Door. Ndeshja është shoqëruar me një rivalitet të fortë dhe të parët kanë kaluar në avantazh vajzat e Juban Danjes me anë të sulmueses Rrotani, që ka shënuar me anë të një 11-metërshi. Kur duket se loja do mbyllej me këtë rezultat, Hasanaj, pikërisht në minutën e 93-të, do të shënonte golin e barazimit për The Door dhe krejt ndeshja kësisoj mbyllet në shifrat 1-1. Drejtuesit e të dy ekipeve natyrisht që nuk i ka kënaqur pika e marrë, por po ashtu, kanë patur kontestime edhe për gjyqtarin.

    juban danja
    Ekipi i futbollit të femrave Juban Danja

    Takimi i tretë i luajtur dje në Shkodër ka qenë ai mes ekipit të AAS-së dhe Apolonisë. Kjo e fundit ka fituar me rezultatin 4-1. Ndërkohë, në Korçë, Skënderbeu debutues është mundur nga Kinostudio me rezultatin e pastër 3-0 ndërsa Tirana AS ka fituar me rezultatin e thellë 12-0 ndaj Dajtit. Pas javës së dytë, kryesojnë renditjen me pikë të plota, nga 6, tre ekipe, Vllaznia, Kinostudio dhe Tirana AS. Pikërisht për këtë, java e ardhshme pritet me shumë interes, sepse do të dhurojë sfidën më interesante ndoshta të kampionatit, atë në mes Kinostudios dhe Vllaznisë dhe fitorja e kësaj ndeshje, do të përcaktojë shumë gjëra sa i takon titullit kampion.

    [total-poll id=110766]


    Lexo postimet e tjera